AlbanianSport.com 13.03.2017 13:45
ASNN – Për të rritur cilësinë e lojës së futbollit në vend, Federata Shqiptare e Futbollit ka ndërmarrë nismën për krijimin e Akademisë së Gjykimit. Të gjithë ata që duan të vendosin drejtësi në fushën e blertë do të ndjekin kursin përkatës, trajnues, teorik dhe praktik, pranë universitetit të sporteve. Praktikantët në fund do të pajisen me diplomë.
Gjyqtarët shqiptarë do të kenë tashmë shkollën e tyre. Nuk do të mjaftojë më vetëm një dëshirë për t’u bërë gjyqtar futbolli por, ata që do të veshin uniformën e vendimmarrësit të një sfide, do të duhet të marrin edhe diplomën përkatëse. Sokol Jareci, shefi i sektorit të gjyqtarëve në FSHF, për Televizionin Shqiptar, jep detaje rreth këtij projekti të ri.
Futbolli në Shqipëri është një sport i dashur dhe tepër i përhapur. Në të po aktivizohen jo vetëm meshkujt por edhe femrat. Madje disa guxojnë edhe më tej, do të bëhen gjyqtare. Fjoralba Beqiri është një prej tyre. Të gjithë të interesuarit për të ndjekur kursin për gjyqtar futbolli, do të plotësojnë fillimisht formularin përkatës dhe do të ndjekin kursin në Universitetin e Sporteve në Tiranë.