AlbanianSport.com 13.03.2017 09:35
ASNN – Në atë që ishte padyshim vitrina më e mirë e basketbollit shqiptar dhe që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, Vllaznia ka mundur në fundjavë Tiranën me shifrat 96-93, por vetëm pas dy pjesëve shtesë. Për amerikanin e shkodranëve, Xhosh Frilavë, kjo sfidë dëshmoi se Vllaznia mund ta mbrojë me sukses titullin “kampion”.
Ndër 3 amerikanët që luajnë për Vllazninë në këtë sezon, Xhekson, Palmer dhe FriIavë, ky i fundit ka qënë basketbollisti më i mirë në fushën e lojës ndaj Tiranës, jo vetem se shënoi 30-të pikë, më shumë se askush tjetër, por me tekniken e lartë, lëvizshmërinë dhe preçizionin në gjuajtjet nga distance bëri për vete tifozerinë shkodrane. Duke folur pas ndeshjes dhënë për mediat, amerikani ka përcjellë emocionet e tij për këtë takim, ku Vllaznia mundi skuadrën kryesuese, Tiranën, me rezultatin 96-93.
“Ndjehem shumë mirë, por jam pak i lodhur pas kësaj ndeshje luftarake me dy shtesa njëra pas tjetrës, – tha Frilavë. – E filluam ndeshjen keq, pastaj filluan ta marrin veten të gjithë lojtarët, dhe në vazhdim mendoj se të gjithë e bënë mirë detyrën, e kjo sidomos në pjesën e fundit, ku edhe arritëm edhe fitoren.” Për basketbollistin e kuqebluve, mbrojtja e titullit është një mision i mundur.
“Ne do të punojmë shumë fort për të arritur tek titulli “kampion”, por besoj se do ta arrijmë, – ka thënë amerikani. – Megjithatë, t’ia lëmë fushës këtë pjesë. Tifozët ishin të mrekullueshëm, nuk na lanë në asnjë moment në baltë, edhe atëherë kur ne ishim shumë pikë mbrapa, ato na mbështeten pa fund. Do të punojmë fort për t’i bërë të gjithë shkodranët të lumtur, duke arritur titullin “kampion”.”
Takimi Vllaznia-Tirana, që padyshim ishte më i bukuri i këtij sezoni të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.