Gjergj Vyshka 11.03.2017 19:35
Spiro Leka, ish-basketbollisti i Partizanit dhe i ekipit kombëtar kuqezi, tashmë do të jetë trajneri i parë shqiptar në Serinë A të Italisë. Që nga e marta, pas dorëheqjes për shkak të mungesës së rezultateve të Piero Bukit, Spiro Leka është bërë trajneri i parë i Pezaros.
Në fakt Buki ka pasur një kontratë 2-vjeçare me këtë skuadër që nga vera e kaluar. Por për shkak të dorëheqjes së presidentit Ario Kosta, atëherë është larguar dhe Buki. Skuadra i është besuar Lekës, që duket se do të qëndrojë deri në fund të sezonit. Ndërkohë më parë ka drejtuar Basket Fanon nga seria D deri në C1, Basket Morçianon, Palakanestro Titanon dhe Anxhels. Dhe marrja e drejtimit të Pezaros në Serinë A është arritja e një maje për Spiro Lekën, ndërsa në skuadër është afruar dhe amerikani Klark, që kishte dalë kampion në Australi. Leka në krye të Pezaros, shqiptarët e njohin me emrin e Skavolinit, që në fund të viteve 1980 ka ardhur për t’u ndeshur me Partizanin në Kupën e Kampioneve, është sukses jo vetëm për të, por dhe për basketbollin shqiptar. Për të tilla talente që ka nxjerrë e po nxjerr në pah.