AlbanianSport.com 14.11.2014 22:55
ASNN – Një Shqipëri e disiplinuar taktikisht dhe pragmatiste në lojën e saj ka marrë të premten një barazim historik në Francë ndaj përfaqësueses vendase, në miqësoren e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Golit të Mavrajt për kuqezinjtë në pjesën e parë i janë përgjigjur francezët në pjesën e dytë, me anë të Grizmanit, dhe Kombëtarja kuqezi ka marrë kështu të parin rezultat pozitiv ndaj galëve.
Ndonëse erdhi në përballjen me Francën me një bilanc për t’u harruar, prej 4 humbjesh në po aq ndeshje, ku kishte shënuar vetëm një gol dhe kishte pësuar plot 11, Shqipëria ka bërë të premten një paraqitje solide, duke marrë edhe një barazim 1-1, në takimin e vlefshëm për grupin I të Eliminatoreve të Evropianit 2016, por që nuk mbarti pikëzim. Kjo për arsye se Franca si vend organizator është e kualifikuar për në Evropian dhe ndeshjet e grupit i zhvillon të gjitha si miqësore.
Takimi i zhvilluar në Stadiumin e Renës ka nisur mjaft mirë për kuqezinjtë dhe vetëm shtylla i ka mohuar Lorik Canës golin që në minutën e dytë. Shqipëri ka qenë e disiplinuar taktikisht dhe pragmatiste në lojën e saj dhe rastet për shënim në pjesën e parë nuk kanë munguar, sidomos nga goditjet e lira dhe nga goditjet e këndit. Dhe pikërisht nga një goditje e këndi ka ardhur goli i kuqezinjve dhe 4 minuta para fundit, Mavraj godet zgjuarsisht me kokë, duke përshëndetur rrjetën.
Me këtë epërsi njëgolëshe të Kombëtares sonë janë mbyllur 45 minutat e para, ndërsa edhe ato të dytat kanë qenë e njëjta tabllo, me kuqezinjtë që godasin rrezikshëm portën e Lorisit, dhe me Francën që është e paqartë në lojën e saj. Gjithsesi, vendasit do ta thyejnë më në fund qendresën e kuqezinjve, kur Antuan Grizman do të gjejë golin e barazimit. Me këtë barazpeshë do të mbyllet kështu ky takim, ndërsa Kombëtarja kuqezi shkon në ndeshjen e së martës me Italinë me optimizmin që i jep ky barazim me Francën.