AlbanianSport.com 10.03.2017 19:55
ASNN – Tirana dhe Skënderbeu kanë shënuar nga dy gola dhe kanë ndarë nga një pikë secila, në takimin që u luajt të premten dhe ngriti siparin e javës së 25-të të Kategorisë Superiore. Kjo ndeshje u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Java e 25-të e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka ngritur siparin të premten me ndeshjen e parë të saj, atë midis Tiranës dhe Skënderbeut, që është mbyllur në barazim 2-2.
Pjesa e parë e kësaj sfide ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për bardheblutë, pasi Edeh do të përfitojë nga një goditje këndi në minutën e 3-të dhe do të përshëndesë rrjetën. Ndonëse Hamdi Salihi do të fitojë dhe do të shndërrojë në gol një 11-metërsh në minutën e 15-të, Tirana do ta mbyllë 45-minutëshin e parë në epërsi, pasi Hoxhallari do të ekzekutojë mjeshtërisht një goditje të lirë 4 minuta para fundit dhe do të përshëndesë rrjetën.
Në pjesën e dytë janë korçarët që janë më ngulmues dhe, pas 14 minutash lojë, do të gjejnë rrugën e rrjetës dhe është sërish shkodrani i korçarëve, Hamdi Salihi, ai që do të mposhtë portierin Ilion Lika dhe do të barazojë shifrat në 2-2. Të dyja skuadrat do të luftojnë deri në fund dhe është Skënderbeu që ka rrezikuar të vjedhë fitoren, por gjithçka është mbyllur në barazim 2-2.
Dhe korçarët mbajnë përkohësisht kreun e renditjes, me 49 pikë, një më tepër sesa Kukësi i vendit të dytë, që pret të shtunën pasdreke në fushën e vet Korabin dhe, 3 më tepër sesa Partizani i vendit të 3-të, që përballet në mbrëmje me Flamurtarin.