AlbanianSport.com 09.03.2017 13:25
ASNN – Kampioni i ri i Evropës në kërcim së gjati, Izmir Smajlaj, është pritur sot paradite në mjediset e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit nga Ministrja Lindita Nikolli. Atleti 23-vjeçar ka qenë i shoqëruar në këtë takim nga presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, dhe Sekretari i Përgjithshëm i saj, Nikolin Dionisi.
Ministrja Nikolla e ka cilësuar si historike arritjen e sportisti të ri në Kampionatin Evropian të Atletikës në Salla të Mbyllura, që u mbajt në fundjavë në kryeqytetit e Serbisë, Beograd. Ajo ka premtuar shpërblim për Smajlajn dhe trajnerin e tij, Vildan Tufi, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Nga ana e tij, kampioni i Evropës e ka falënderuar Ministren Nikolla për pritjen dhe për mbështetjen e premtuar në vijim. Ndërkohë, në mesditë, Smajlaj dhe trajneri Tufi është pritur në mjediset e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar nga presidenti i tij, Viron Bezhani.
Në emër të KOKSH-it, Presidenti Bezhani i dha sportistit një pllakatë “Mirenjohje” për rezultatet e arritura prej tij dhe marrjen e titullit Kampion i Evropës në kërcim së gjati. Në fjalën e tij, Bezhani përgëzoi sportistin për rezultatet e arritura dhe premtoi mbështetjen e KOKSH-it për këtë sportiest, për të arritur sukseses të tjera.