Gjergj Vyshka 09.03.2017 12:30
Uta Ibrahimi, alpinistja nga Gjilani, do të jetë e para femër shqiptare, e cila do të tentojë ngjitjen në Everest, që është mali më i lartë i Botës me 8848 metra. Ibrahimi ka gjashtë vjet që merret me alpinizmin, ndërsa më parë është marrë me basketboll dhe sporte të tjera. “Unë në fakt, – thotë Ibrahimi, – e kam nisur alpinizmin me ecje të shpejta dhe me ngjitje të vogla.”
“Më parë e kam tentuar ngjitjen në Everest dhe kam shkuar në lartësinë 6000 metra, -vijon ajo. – Nuk them se nuk kam frikë, por do ta provojë”. E promovimi i Uta Ibrahimit është bërë dje në mesditë nga presidenti i Shoqatës “Dajti-Alpino”, Xhim Begeja, në një konferencë për shtyp në ambientet e hotel “Tirana-Internationa”. Uta Ibrahimi do ta nisë sulmin e saj në Everest më 16 mars 2017, ndërsa do të zgjasë deri në 2 muaj e gjysmë.
Do të jetë me dy ekspedita, e para senegaleze dhe e dyta zvicerane, ndërsa tentativa e kësaj ngjitjeje në Everest shkon në 70-75 mijë dollarë. Nëse do ta arrijë do të jetë në 30-35 femrat në botë që janë ngjitur në Everest, ndërsa Uta Ibrahimi ka bërë edhe një vit stërvitje psikologji dhe fizike. Madje para tre vjetësh është ngjitur dhe në Malin e Bardhë.
Ndërsa së bashku me trajnerin e saj Xhim Begeja do të kenë dhe një farë aklimatizimi në Everest përpara se të ngjisin majën. Dhe në fakt shqiptarët e kanë arritur majën e Everestit, mes të cilëve dhe Gjergji Bojaxhi. Tanimë kërkon dhe Uta Ibrahimi, e cila do të hyjë në histori si femra e parë shqiptare në Everest.