Kampioni i Evropës në atletikë në salla të mbyllura, Izmir Smajlaj, dhe trajneri i tij, Vildan Tufi, janë pritur paraditen e së martës nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi. “Dua të falënderoj Kryetaren e Bashkisë për pritjen që na bëri, sepse në një farë mënyre, kur na respektojnë, edhe në ndjehemi më mirë”, – ka thënë ai, duke folur për mediat pas pritjes.
“Duke pasur mbështetjen e tyre edhe ne pastaj ecim më mirë në rrugën tonë për të shkuar më lart me rezultate, – ka vijuar 23-vjeçari. Jam i kënaqur që me këto rezultate nderova edhe Shkodrën së cilës i takoj dhe jam formuar si sportist. Përpara kam një garë shumë më të madhe, siç është Kampionati Botëror, që zhvillohet në muajin gusht në Londër.”
“Duke pasur parasysh, krahasuar me të njëjtën kohë të vitit të kaluar, janë gati 70 centimetra më mirë, – theksoi ai. – Pretendoj shumë, por them se po të mbështetem do të kem dhe rezultate më ta larta”. Sa për shpërblimin financiar kampioni i Evropës, Izmir Smajlaj, deklaroi: “Normalisht që ka shpërblim, por realisht akoma nuk e di të saktë se sa është. Është një gjë që i takon çdo sportistti me ligj. Dua të falënderoj shtetin për mbështetjen që jemi duke marrë tani.”