AlbanianSport.com 07.03.2017 17:05
ASNN – Është përcjellë sot për në banesën e fundit, pas homazheve të mbajtur në hollin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar ish-sportisti dhe biznesmeni Muhamet Malo, i cili, u nda nga jeta një ditë më parë, pas një sëmundje të rëndë. Kampion në mundje dhe në biznes duke fituar çmime e tituj nderi në vend, madje i vlerësuar edhe në botë.
Pas një sëmundje të rëndë, të hënën pasdite u nda nga jeta Muhamet Malo, një nga njerëzit më human dhe më të dashur, I lidhur përgjithnjë me sportin. Ai fitoi respektin e të gjithëve, duke qëndruar gjithnjë pranë tyre. Karriera e tij e sukseshme në sport ka nisur kur ai u shpall kampion me fanellën e Partizanit. Më pas u bë president i Federatës Shqiptare të Mundjes dhe president i Shoqatës Kombëtare të Mundjes.
Për të nderuar Muhamet Malon, kanë bërë homazhe personalitete të politikës, sportit dhe biznesit. Muhamet Malo ishte një ndër humanistët më të mëdhenj në Shqipëri, e për këtë është nderuar me titullin “Honoris Causa”. Emër ka krijuar edhe në botën e biznesit. Hapi kompaninë e parë të basteve sportive në vend, krijoi për herë të parë një televizion kushtuar tërësisht sportit.
Ndërtoi teleferikun e parë dhe të vetëm në Shqipëri. Ka marrë titullin “Nderi i Mundjes shqiptare”, është nderuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, me titullin “Për Merita të Veçanta Civile”. Meritat e tij nuk kaluan pa u vënë re as nga ish- presidenti i SHBA-së, Barak Obama, I cili e ka nderuar biznesmenin shqiptar, me çmimin “Për arritjet gjatë jetës”.
Trupi i të ndjerit Muhamet Malo është vendosur sot në mjediset e Radio-Televizionit Shqiptar, ku, nga ora 12:00, deri në ora 14:00 janë bërë homazhet e, më pas, do të bëhet përcjellja për në banesën e fundit. Për respektin që gëzonte jo vetëm tek njerëzit e sportit, por dhe të artit e kulturës, ashtu siç edhe pritej, Malo është përshëndetur për herë të fundit nga shumë shqiptarë.