Gjergj Vyshka 07.03.2017 13:25
Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, vazhdon të këmbëngulë se Izmir Smajlaj është një fenomen botëror. Kështu ka deklaruar dhe kur ka zbritur të hënën në mëngjes në Aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit.
“Izmir Smajlaj ka hipotekuar prej vitesh faktin që është një supertalent, – ka thënë kreu i organizmit që qeveris atletikën shqiptare. – Nëse do të ketë më shumë vëmendje ndaj tij dhe do të stërvitet këto 3-4 muaj shumë, ai do të sjellë dhe medalje botërore nga Londra.”
Ndërkohë, i vetmi titullar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, që ka pritur “kampionin e Evropës” në Rinas, Izmir Smajlajn, ishte Drejtori i Sporteve, Vladimir Gjonaj. Sipas tij tashmë duhen krijuar kushtet për një stërvitje më të plotë të këtij talenti të atletikës shqiptare.
“Ka vendime qeverie, – ka thënë Gjonaj, – ka mundësi. Do të gjenden hapësira dhe mundësi për të shpërblyer financiarisht, por unë nuk do të mbetesha thjesht tek shpërblimi. Ne duhet të mendojmë për t’i krijuar kushtet për një stërvitje më të plotë”. E kësisoj Izmir Smajlaj është pritur me shumë ovacione dhe si hero në Rinas.