Nga Gjergj Vyshka 07.03.2017 08:50
Sporti shqiptar që nga dita e djeshme ka një figurë më pak. Por dhe jeta shqiptare e njerëzimi i tij ka një bamirës më pak. Ai iku shumë shpejt, ndërsa nuk arriti t’i bënte ballë sëmundjes së rëndë. Muhamet Malo, për fatin e keq, nuk është më në gjirin tonë, por ajo që ai ka bërë është shumë e lavdishme. I dashuruar pas mundjes, sepse i ka dhënë këtij sporti duke qenë pjesë e Studentit, ndërsa me këtë skuadër do të ishte në vitet 1971-1977.
Mandej nga 1977-1979 do të ishte pjesë e Partizani, atje ku dhe do të bënte ushtrinë. Nga 1982-1990 përsëri pjesë e Studentit, ndërsa do të ishte dhe kampion në mundjen klasike në peshën 82-90 kilogram. E për kontributet e tij ai është nderuar me “Mirënjohje” nga Federata Shqiptare e Mundjes, ndërsa ka qenë edhe presidenti i saj. Madje më 21 dhjetor 2013 do të rizgjidhej në krye të saj me mirëkuptimin e presidentit aktual Martin Biba dhe të të gjithë komunitetit, sepse shihej si njeriu që do t’i bashkë të gjithë palët në konflikt.
Por nuk e zgjat shumë dhe për arsyet e tij, edhe pse kishte kontribuar me tapete, apo dhe deri mikrobus për Federatën, si dhe pagesa për trajnerë e sportistë, largohet nga drejtimi i mundjes. E megjithatë ai ishte presidenti i nderit i Federatës Shqiptare të Mundjes. Si biznesmen do të ishte më shumë se i suksesshëm fillimit në krijimin e kompanisë së basteve sportive “Eurolloto”. Më pas në krijimin e kanalit të parë dhe të vetëm sportiv Telesport, apo dhe gazetës sportive “Sport Plus”, si dhe në ndërtimin e teleferikut “Dajti Ekspres” në ballkonin e të cilit sot shkojnë të gjithë shqiptarët e të huaj.
Për bamirësitë e tij në maj 2014 do të nderohej me titullin “Honoris Causas”, ashtu sikurse është nderuar me Mirënjohje nga Federata Evropiane e Peshëngritjes, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Madje Mirënjohje ka marrë dhe nga Shoqata e Të Verbërve dhe Jetimëve, nga shkolla “Bajram Curri”, si dhe nga Federata Shqiptare e Xhudos. Ishte i pari që do të krijonte spektaklin për nderimin e 25 figurave të sportit me Medaljen e Meritës, të cilët ai i kishte miq.
Që nga Agim Fagu, Ndriçim Spahiu, Xhelil Cibaku, Besnik Shehu, Martin Biba, Viron Bezhani, pjesa më e madhe e të cilëve janë të mundjes, do t’i shihje gjithnjë në tavolinë për të. Ndaj dhe dhimbja është e madhe për këtë humbje të parakohshme të Muhamet Malo, një figure shumëplanëshe mes sportit, paqes, biznesit dhe bamirësisë. AlbanianSport.com i shpreh ngushëllimet e saj familjes Malo për këtë largim të parakohshëm të njeriut të tyre më të afërt.