AlbanianSport.com 05.03.2017 17:35
ASNN – Kavajasi i dibranëve është ndjerë i lumtur që shënoi në një stadium të tillë bashkëkohor si ai i “Loro Boriçit” të Shkodrës, por edhe një gol që vlejti të paktën një pikë.
Ka qenë minuta e 40-të e ndeshjes Korabi-Tirana, kur, pas një krosi të dhënë nga e majta e sulmit dibran nga ana e kapitenit Mziu, mbrojtësi shtatlartë Ervis Kaja e dërgon topin me kokë në rrjetën e portierit të Tiranës, Ilion Lika.
Një avantazh për Korabin që tronditi seriozisht kampin bardheblu, të cilit iu desh të luftojë fortë për të gjetur të paktën golin e barazimit në fundin e minutave shtesë të pjesës së parë.
Duke folur për mediat pas ndeshjes, Kaja ia ka kushtuar golin vajzës së tij të vogël, ndërsa ka folur edhe për të ardhmen.
Ai ka bërë të ditur se kontrata e tij me Korabin i mbaron në fund të sezonit dhe se do të vijojë ta respektoj me shumë përkushtim duke menduar për të ardhmen me synim gjetjen e ndonjë ekip më të mire në Kategorinë Superiore.