Gjergj Vyshka 05.03.2017 09:55
Luiza Gega në garën e 1500 metrave, e fundit për të, është renditur e pesta me 4’11”64. Tashmë e përqendruar fort në 3000 metra me pengesa prej Luizës në garat e verës pritet të ketë surpriza.
Për trajnerin e Luiza Gegës, Taulant Stërmasi, kjo garë në salla të mbyllura në Beograd nuk mund të bëhej më mirë. “Jam vërtetë i kënaqur me çfarë bëri, sepse vrapoi fizikisht dhe faktikisht”, – ka thënë ai.
“Kjo është një arsye që ne nuk stërvitemi më për 1,500 metra, – ka vijuar Taulanti. – Duhet sprint e shpejtësi, që ne s’i kemi. Duhet shtuar që s’jemi stërvitur pothuajse fare me objektivin për medalje evropiane e aq më shumë për garën e 1,500 metrave.”
“Kemi nisur me kohë përgatitjet për garat e verës e në disiplinën 3,000 metra me pengesa, – ka theksuar ai. – E themi me bindje të plotë që Luiza është kampione Evrope në çdo moment.”
“Siç thash jam i kënaqur me rezultatin, pasi u gjendëm edhe mes problemesh fiziologjike. Megjithatë garë e mirë”, – ka përfunduar trajneri i Luiza Gegës, Taulant Stërmasi.