Nga Arben Imeri 05.03.2017 08:10
Franko kuqezi e me dy nënshtësi: “Unë jam shqiptar, jam krenar që jam i tillë dhe që mbroj ngjyrat e vendit tim në ndeshjet ndërkombëtare”. Me Franko Bushatin jemi takuar pas ndeshje që Breshia fitoi me Avelinon e vendit të dytë në Serinë A të Italisë. Si për të mos tradhtuar nofkën, edhe kësaj here, roli i tij në mbrojtje ishte shumë i rëndësishëm. Është i qeshur dhe nuk ka atë mimikën agresive dhe vështrimin luftarak, që e shoqërojnë kur në parket ka përballë kundërshtarët.
Tiparet e tij nga ana estetike ngjasojnë më shumë me fizionominë e ndonjë modeli, apo një aktori filmash, se sa me ato të një sportisti. “Kobra” Bushati, i datëlindjes 1985, 191 cm i gjatë, lindur në Tiranë, ka luajtur prej vitesh me radhë me kombëtaren shqiptare të basketbollit. Sot është shqiptari i vetëm që luan në kategorinë më të lartë të basketbollit italian, serinë A. “Por ka edhe djem të tjerë shqiptarë që fare mirë do mund të luajnë në serinë A”, – ndërhyn Franko.
“Unë jam më i vjetri në moshë dhe, më së fundi, pas shumë vitesh duke vrapuar në kampionatet e serisë B, arrita të realizoj ëndrrën time dhe të babait tim”. Franko është bir arti; babai i tij Pjerini ka qenë ndër basketbollistët më të mirë shqiptarë të viteve ’80, pjesëtar i Partizanit të famshëm të Zaçes, Mushit, Kuqos, Priftit, Çaçit, Lekës, Terihatit, etj, që ndeshej me sukses me skuadrat më të forta evropiane, si dhe lojtar titullar i kombëtare shqiptare. Ja dhe intervista e tij, e botuar në të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, që AlbanianSport.com po jua sjell këtu në 3 pjesë, të premten, të shtunën dhe të dielën dhe sot është pjesa e dytë.
Vijon nga dje…
– Mund të themi se lojtari simbol i skuadrës breshiane është Bushati. Ti e di se për çfarë e kemi fjalën…
– Është nder i madh për mua që të jem lojtari, i cili ka luajtur më shumë ndeshje me fanellën e Breshias. Vjet bëra 100 ndeshje me ngjyrat e ekipit dhe klubi më organizoi një festë, në Pallat Sportit. Targën simbolike me emrin tim dhe numrin e ndeshjeve pata nderin ta marr nga duart e legjendës së basketbollit italian dhe evropiane, Dino Menegin. U mallëngjeva kur pashë fëmijët e vegjël që mbanin veshur fanellën me emrin tim dhe me numrin 100 mbi supe. Janë gjëra të vogla, por që mbartin një mesazh dhe domethënie të madhe. Vërtet që jemi profesionistë dhe mund të ndërrojmë skuadra të ndryshme, por ngrohtësia dhe mirënjohja e klubit, si dhe e tifozëve të Breshias kanë lënë gjurmë në basketbollistin dhe njeriun Bushati. Ndihem i privilegjuar
– Kur skuadrat rreshtohen në fushën e lojës për të filluar ndeshjen, ti je i fundit, emri i të cilit thirret nga spikeri i pallatit të sportit. Kjo ndodh sepse je senatori i ekipit dhe lojtari që i ke dhënë aq shumë skuadrës ndër vite?
– Është një shenjë respekti që më bëjnë shokët e skuadrës, klubi si dhe tifozët e zjarrtë. Jam i vetmi lojtar që kam luajtur me Breshian në të gjitha kategoritë, që kur ajo erdhi nga kategoria B në A2 si dhe nga A2 në serinë A.
– Kemi parë dhe ndjerë që jeni idhulli i tyre. Britma Franko ale-Franko Bushati ndihet sa herë që ti shënon kosh, apo mbron me rreptësi…
– Marrëdhëniet e mia me tifozët kanë qenë të shkëlqyera, në çdo skuadër ku kam luajtur. Kam ngelur në kontakt dhe kam miq në çdo skuadër dhe qytet ku kam djersitur. E njëjta gjë ndodh edhe me tifozët breshianë. Fakti që unë luaj për të katërtin vit me Breshian vlerësohet me të tilla forma nga të gjithë ata. Ndoshta, edhe sepse kur nuk kam qenë dakord me kritikat e tyre ndaj ekipit, ua kam thënë në sy mendimin tim pa iu shmangur përgjegjësive të mia si lojtari më i vjetër i skuadrës. Tifozët tanë bëjnë shumë për skuadrën. Jo gjithandej, në pallatet e sportit vrapojnë katër apo pesë mijë spektatorë, siç ndodh me ata. Entuziazmi i tyre është ndihmë e madhe për sukseset që kemi arritur ndaj ekipeve me emër të Avelinos, Venecias, Sasarit, Rexhio Emilias, apo skuadrave të tjera.
– Ndaj dhe ti, shpeshherë kur shënon kosh, kthehesh nga tifozët dhe i përshëndet duke ngritur grushtet lart?
– Është diçka instiktive, jo e studiuar. Tifozët janë lojtari i gjashtë në lojë dhe kjo nuk duhet harruar. Ne jemi profesionistë dhe paguhemi për punën që bëjmë, ndërsa sakrificat më të mëdha i bëjnë ata. Ndaj, sa herë që shënoj, më vjen natyrshëm të ndaj kënaqësinë e koshit me ata, të cilët nuk reshtin së brohorituri. Plus që unë, edhe pse jam formuar në Itali si basketbollist, kam gjak shqiptari dhe dihet që ne si popull jemi shumë entuziastë dhe festivë. Brazilianët kanë sambën, ndërsa ne festojmë në mënyrë luftarake… hahahaha. A ka më bukur se sa të festosh me tifozët e tu?
– Nofkën “Kobra” ta kanë ngjitur ata?
– Kobrën ma ngjiti një gazetar sportiv, gjatë një transmetimi në televizion. Qëlloi që gjatë një ndeshje i rrëmbeva topin kundërshtarit dhe opinionisti u shpreh se “Bushati është më i shkathët se sa vetë kobra”. Nga ajo ditë, Kobra u bë emri im i dytë.
– Pse numri 70?
– Gjithandej ku kam luajtur kam mbajtur numrin 7. Kur erdha te Breshia për të tretën herë, para dy vjetësh, shtatën e mbante një djalë i ri dhe i talentuar. Ndaj, pa u menduar shumë, i shtova shtatës edhe një zero dhe ja ku jemi te 70-a.
– Cilat janë objektivat sportive të Bushatit?
– Janë të njëjta me ato të ekipit. Pas paraqitjes dinjitoze që bëmë në Kupën e Italisë, ku u eliminuam në gjysmëfinale vetëm në sekondat e fundit të ndeshjes me Sasarin, ekip tepër i fortë që prej vitesh lufton për titullin kampion dhe luan në kupat e Evropës, objektivi kryesor është që të kualifikohemi në play-off. Personalisht, pikësynimi im është që të përmirësohem gjithnjë e më tepër dhe të rris rendimentin në fushën e lojës.
Vijon nesër…