AlbanianSport.com 14.11.2014 16:15
Pjesa e katërt ka qenë “vrastare” për kuqeblutë e Bledar Gjeçajt që bënë ndeshje të mirë, por u mundën 72-75 nga rumunët e Krajovës. Vllaznia e ka nisur me epërsi ndeshjen, ndërsa Pajoviç nga dy gjuajtje të lira ka bërë vetëm një. Rumunët shtojnë presingun në sulmin e tyre dhe janë shkëputur deri në 1-7 falë trepikëshave të Buro e Bozoviç. Deri në 8-12 kanë kryesuar rumunët, ndërsa shkodranët kanë nisur të afrohen gradualisht derisa kanë barazuar 14-14, kurse trepikëshi i Saralijës ka kaluar në avantazh Vllazninë, 17-14.
Me avantazhe të ndërsjelltë, pjesa e parë e ndeshjes është mbyllur në barazim 25-25. E luftuar është dhe pjesa e dytë, atje ku pas barazimit 27-27, Vllaznia ka kryesuar deri në 33-31. Ka përmbysur Krajova, e cila është shkëputur 33-36. Tjetër trepikësh i Gavraniçit, ndërsa Vllaznia ka kaluar në epërsi 38-36. Barazime të njëpasnjëshme dhe në fund 41-41, kurse pjesa e dytë ka përfunduar 16-16. Në të tretën Saralija e ka çuar në epërsi Vllazninë 44-41. Rumunët janë kundërpërgjigjur dhe 44-45. Miqtë janë shkëputur deri në 46-52.
Por tanët, edhe me inkurajimin e mbështetësve shkodranë, nuk janë dorëzuar. Pas disavantazhit 54-56, Arra ka shënuar një trepikësh dhe 57-56. Dhe në përfundim të pjesës së tretë, Vllaznia ka kryesuar 61-60 dhe ky 10-minutësh është fituar nga shkodranët 20-19. Por e fundit është totalisht nën kontrollin e rumunëve, që e ka fituar atë pjesë 11-15 dhe në fund 72-75 ndoshta në një humbje të pamerituar të shkodranëve.
Vllaznia – SCM Krajova 72-75
(25-25, 16-16, 20-19, 11-15)
Vllaznia: Bërdica (3), Ndoja (2), Pajoviç (8), Saralija (26), Gavraniç (20) / Bekteshi, Llazani (7), Arra (6). Trajner: B. Gjeçaj
SCM Krajova: Andrei (1), Bozoviç (11), Vucuroviç (24), Buro (12), Krstanoviç (7) / Petrisor (13), Bosnjak, Santa (7). Trajner: A. Mandiç
Gjyqtarë: I. Mitrovski, A. Pavlov (Maqedoni), I. Miliçeviç (Bosnjë-Hercegovinë)