AlbanianSport.com 03.03.2017 16:15
ASNN – Pasi Prishtina dhe Trepça ’89 kanë “arkëtuar” të premten edhe nga 3 pikë të tjera në garën për titullin e kampiones së Kosovës, janë luajtur sot edhe dy ndeshje të tjera në kuadër të javës së 19-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Kështu, Ferizaj ka siguruar një pikë nga takimi që zhvilloi si mysafir i Trepçës në Mitrovicë. Miqtë, të mbiquajtur “Ujqit”, kaluan të parët në epërsi me golin e Maliq Behlulit në minutën e 14-të.
Ndërsa “Minatorët” vendas barazuan rezultatin me golin e Bajram Zuqakut 10 minuta më vonë. Me këtë barazim, Ferizaj mbetet në vendin e 9-të me 17 pikë, ndërsa Trepça ka 13 pikë, në vendin e parafundit.
Ndërkaq, edhe Llapi mbetet në garë për titull me fitoren sot ndaj Gjilanit. Florim Berbatovci ishte heroi i Llapit në ndeshjen ndaj Gjilanit, pasi me një gol të realizuar 4 minuta para fundit të takimit, i shtoi gjasat e skuadrës së tij për titull.
Me fitoren ndaj Gjilanit, Llapi ka tashmë 39 pikë, në vendin e tretë. Gjilani mbetet në pozitën e 6-të, me 26 pikë. Ndërkaq, kryendeshja e kësaj fundjave zhvillohet të dielën në Gjilan, ndërmjet Dritës dhe Feronikelit.