AlbanianSport.com 03.03.2017 11:15
ASNN – Ngandonjëherë duhet të presësh për kohën tënde dhe, për të birin e ish-portierit të Kombëtares, Foto Strakosha, Thomasin, kështu ka ndodhur. Ai nuk është thjesht një emër në radhët e Lacios, sepse portieri 21-vjeçar shqiptar shihet si e ardhmja e katërkëndëshit së skuadrës bardhekaltër, të cilët janë bindur nga paraqitja e tij në derbin me Romën, ndeshje e vlefshme për Kupën e Italisë.
Edhe pse në fillim të sezonit u mendua se ai do të vuante të njëjtin fat si të Etrit Berishës, duke qenë nën hijen e Marketit, Strakosha i kaloi shpejt pritshmëritë, duke shënuar më shumë ndeshje sesa portieri i parë i Lacios. E përditshmja romane “Il Messaggero” shkruan se “në fushë djaloshi nuk ka fituar vetëm konfirmimin për të qenë një zgjedhje e sigurt, por edhe vlerësimin e trajnerit e të gjithë pjesës tjetër të skuadrës.
Derbi i fundit, shkruan më tej “Il Mesaggero”, është demonstrimi më i mirë për të”. Ndërkohë, ashtu siç edhe pritej javën e ardhshme Lacio do të përfundojë edhe rinovimin e kontratës me talentin shqiptar. “Il Messaggero” raporton se është arritur marrëveshja që Strakosha të jetë pjesë e skuadrën kryeqytetase deri në vitin 2022. Me paraqitjetet e fundit Thomas Strakosha është kandidati kryesor për një vend titullari në sfidën e radhës të Kombëtares shqiptare, atë kundër Italisë, duke qenë se Etrit Berisha është i skualifikuar.