Gjergj Vyshka 03.03.2017 07:05
23 vjet pritjeje dhe Partizani ka bërë të vetin Kupën e Shqipërisë. Trofeu i dhjetë i Kupës së Shqipërisë në historinë e volejbollit të meshkujve të Partizanit, ndërsa tashmë premtohet që pas 36 vjetësh kjo skuadër të kthehet dhe tek titulli “kampion”. 17 fitore radhazi të Partizanit, ndërsa numri i seteve të fituara shkon në 51, kurse të humburat janë vetëm 5. Pra një skuadër dominuese, por që dje e ka pasur pisk me Vllazninë.
Partizani e ka nisur mirë ndeshjen, ndërsa në setin e parë është në udhëheqje të rezultatit 8-4, 16-14, 21-20, 23-20, 24-22 dhe 25-23. Edhe në setin e dytë, deri në pushimin e parë teknik, Partizani është përsëri në epërsi 8-7. Mirëpo Vllaznia, mbështetur fort tek Rrashketa, Nikolin dhe Anton Qafarena, Xhorxheviç, apo dhe Gjoklaj, Çekini e Drinasi, arrin ta ndryshojë situatën.
Nga 9-13, në 11-16, 13-20, 16-20, 22-24 dhe në fund 22-25. Seti i tretë ka nisur keq për Partizanin, ndërsa Vllaznia, udhëheq në 1-5, 4-8, 13-16. Por, pas incidentit gjatë pushimit, rezultati shkon në 14-17 për Vllazninë, e cila nuk e ul ritmin; 15-21, 18-22 dhe fundi i setit të tretë shënon shifrat 20-25 për Vllazninë. Partizani është “lëshuar” pa duar në setin e katërt dhe duke udhëhequr gjithnjë, arrin të fitojë 25-15.
Partizani është në epërsi deri në 8-5, kohë në të cilën janë ndërruar dhe fushat. E këtu nis “lufta e nervave”; 9-9, 11-12, 13-12, 15-14 për Partizanin, por Stepashkin humbet shërbim. 16-15 për Partizanin dhe Anton Qafarena humbet e shërbim e parketi është për tifozët dhe lojtarët e Partizanit në një festë të madhe për këtë rikthim tek Kupa e Shqipërisë pas 23 vjetësh.
E në fund është dorëzuar dhe trofeu nga sekretari i përgjithshëm, Albens Vokopola, ndërsa Partizani e Vllaznia kanë luajtur një ndër finalet më të mira të volejbollit shqiptar për Kupën e Shqipërisë. Shënuesi më i mirë i ndeshjes ka qenë Anton Qafarena, i Vllaznisë, me 21 pikë, i ndjekur nga Arbër Troka, i Partizanit, me 16 pikë, si dhe Stepashkin, i Partizanit, me 13 pikë, e Nikolin Qafarena, i Partizanit, me 12 pikë.
Në bllok, ka dalë fitues Ditmir Rrashketa i Vllaznisë me 6 mure të suksesshme, i ndjekur nga Arbër Troka, Melo Luis Fernandez të Partizanit dhe Xhorxheviç i Vllaznisë, me nga 3 mure të suksesshme secili. Në shërbim ka dalë fitues kolumbiani Melo Luis Fernandez, me 5 rezultativë. Në total, në 5 sete, Partizani realizoi 109 pikë, prej të cilave 73 pikë vetë, kurse 32 pikë kanë ardhur nga gabimet e Vllaznisë.
Në anën tjetër, në 5 sete, Vllaznia ka shënuar 103 pikë, prej të cilave 74 pikë vetë, kurse 29 pikë kanë ardhur nga gabimet e Partizanit, që edhe kështu, me mbështetjen maksimale të tifozëve, ia ka dalë të jetë fitues i Kupës së Shqipërisë.
Partizani – Vllaznia 3-2
(25-23, 22-25, 20-25, 25-15, 17-15)
Partizani: Çali, Malaj, Troka, Kono, Stepashkin, Melo Luis Fernandez, Gorenxa (L) / Arapi, Kasa, L. Martiro, K. Martiro, Qerraxhija. Trajner: Y. Tomori
Vllaznia: Çekini, N. Qafarena, Kola (L), Xhorxheviç, Rrashketa, A.Qafarena, Gjoklaj / Drinasi, Lloshi Trajner: M.Krroqi
Gjyqtarë: Ko.Gjoka, E.Zguri (Tiranë)
Ndihmës: A.Brokaj, A.Nurja (Tiranë)