Nga Arben Imeri 03.03.2017 17:05
Franko, kuqezi e me dy nënshtësi: “Unë jam shqiptar, jam krenar që jam i tillë dhe që mbroj ngjyrat e vendit tim në ndeshjet ndërkombëtare”. Me Franko Bushatin jemi takuar pas ndeshje që Breshia fitoi me Avelinon e vendit të dytë në Serinë A të Italisë. Si për të mos tradhtuar nofkën, edhe kësaj here, roli i tij në mbrojtje ishte shumë i rëndësishëm. Është i qeshur dhe nuk ka atë mimikën agresive dhe vështrimin luftarak, që e shoqërojnë kur në parket ka përballë kundërshtarët.
Tiparet e tij nga ana estetike ngjasojnë më shumë me fizionominë e ndonjë modeli, apo një aktori filmash, se sa me ato të një sportisti. “Kobra” Bushati, i datëlindjes 1985, 191 cm i gjatë, lindur në Tiranë, ka luajtur prej vitesh me radhë me kombëtaren shqiptare të basketbollit. Sot është shqiptari i vetëm që luan në kategorinë më të lartë të basketbollit italian, serinë A. “Por ka edhe djem të tjerë shqiptarë që fare mirë do mund të luajnë në serinë A”, – ndërhyn Franko.
“Unë jam më i vjetri në moshë dhe, më së fundi, pas shumë vitesh duke vrapuar në kampionatet e serisë B, arrita të realizoj ëndrrën time dhe të babait tim”. Franko është bir arti; babai i tij Pjerini ka qenë ndër basketbollistët më të mirë shqiptarë të viteve ’80, pjesëtar i Partizanit të famshëm të Zaçes, Mushit, Kuqos, Priftit, Çaçit, Lekës, Terihatit, etj, që ndeshej me sukses me skuadrat më të forta evropiane, si dhe lojtar titullar i kombëtare shqiptare. Ja dhe intervista e tij, e botuar në të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, që AlbanianSport.com jua sjell këtu në 3 pjesë, të premten, të shtunën dhe të dielën…
– Domethënë, fati yt ishte i shkruar Franko?
– Nuk mund të ndodhte ndryshe. Sa herë që babi luante në pallat të sportit, edhe pse isha i vogël, nëna më merrte me vete. E njëjta gjë ndodhte edhe në stërvitjet e tij. Isha katër, apo pesë vjeç, kur fillova mini-basketbollin dhe, deri më sot, nuk i jam ndarë ende.
– Kaq herët?
– Pata fatin që të bija në dorën e trajnerit më të mirë shqiptar, atij që kishte stërvitur Partizanin e madh, Astrit Grevës. Më pas, në vitin 1997, erdhëm familjarisht në Itali. Falë basketbollit u ambientova shpejt me realitetin e ri dhe e pata më të lehtë për t’u integruar me shokët e këtushëm. U aktivizova me ekipet e moshave të qytezës ku banonim. Në moshën 14 vjeçare, duke qenë se disa specialistë e këshilluan babain që të mendonte seriozisht për mua, trokitëm nëpër klube të ndryshme italiane. Bëra shumë provime në po aq skuadra, anembanë Italisë. Për fat, më pranuan në akademinë e famshme të basketbollit të Yllit të Kaltër, në Romë. Ndenja pesë vite aty.
– Do ketë qenë e vështirë ndarja nga familja për ty, sepse e dimë që je shumë i lidhur me ata?
– Shumë të vështira, por edhe të vyera për mua. Janë vitet ku u formova jo vetëm si basketbollist, por edhe si njeri. U mësova të përballoja i vetëm vështirësitë e jetës dhe mendoj se kjo gjë më poqi para kohe dhe më forcoi karakterin. Megjithatë, edhe sot që jam burrë, për nënën time jam akoma Franko i vogël dhe përqafimet e saj alla “shqiptarçe”, sa herë që mbaron ndeshja, nuk reshtin kurrë. Prindërit janë kthyer të jetojnë përsëri në Shqipëri dhe më shohin më rrallë kur luaj. Më së shumti i ndjekin ndeshjet e mia nëpërmjet mjeteve të informacionit, apo internetit, pa harruar që telefonatën e parë pas ndeshjeve jam “i detyruar” t’ua bëjë atyre.
– Kontrata e parë?
– Isha 20 vjeç kur fillova profesionizmin e vërtetë me ekipet e të rriturve. Lidha një kontratë me skuadrën e Çentos, në Ferrara dhe kam plot 10 vjet që luaj si profesionist me skuadra të ndryshme. Kam shëtitur gjithë Italinë, nga veriu në jug, në kategoritë B dhe A2. Sot luaj me Breshian në serinë A dhe jam shumë i kënaqur me arritjet e skuadrës dhe ato personale. Kemi ardhur nga seria A2 vitin që shkoi dhe, edhe pse është viti i parë në kampionatin më të fortë e të vështirë, skuadra po paraqitet me mjaft sukses. Mjaft t’ju kujtoj që jemi në mesin e tabelës së renditjes dhe, përveçse me Armanin e Milanos, kemi fituar me ekipet më të forta të Italisë.
– Sa lojtarë të huaj ka Breshia?
– Gjashtë, pesë lojtarë amerikanë dhe një shqiptar, të tjerët janë italianë. Jemi një grup kompakt, edhe pse nga viti i kaluar, kemi ngelur vetëm dy lojtarë, unë dhe kapiteni Mos, i cili është nga amerikanët më të suksesshëm që kanë luajtur në Itali në vitet e fundit: ka dalë katër herë kampion.
Vijon nesër…