AlbanianSport.com 03.03.2017 12:55
ASMM – Kukësi luan sfidën e radhës në Vlorë. E ndodhur në vendin e parë në renditjen e Kategorisë Superiore, me pikë të barabarta me Skënderbeun, skuadra verilindore kërkon vetëm fitoren në këtë sfidë. Kështu, pas barazimit me Partizanin, për Kukësin vjen një tjetër sfidë e vështirë. Në fundjavë, skuadra verilindore do të udhëtojë drejt Vlorës për të luajtur me Flamurtarin.
Portieri i Kukësit, Enea Koliqi e ka quajtur tepër të vështirë këtë ndeshje, pavarësisht pozicionit ku ndodhet skuadra bregdetare. ““Pavarësisht që kundërshtari është në një pozicion jo shumë të mirë, është një kundërshtar që duhet vlerësuar në maksimum në një fushë shumë të vështirë, – ka thënë ai. – Besoj që do të jetë një ndeshje shumë e luftuar, por do përpiqemi të marrim pikë të plota.”
“Nuk duhet të humbasim asnjë pikë sepse kampionati është në përfundim, – ka shtuar portieri i kuksianëve. – Nuk na intereson se çfarë bëjnë ekipet e tjera, ne jemi të përqendruar tek loja jonë.” Ndërkohë, klubi i Kukësit i ka dërguar trajnerit të kombëtares emrat e dy futbollistëve të tij, për t’i grumbulluar në ndeshjet e ardhshme, një ndër të cilët është edhe emri i portierit.
Për këtë Koliqi përgjigjet se gjithçka është në dorën e trajnerit Xhovani De Biazi. “Kjo është në dorën e trajnerit. Nëse më vjen ftesë, do ta pranoj”, – thotë ai. Ndërkohë, Enea Koliçi është shpallur si futbollisti më i mirë i muajit shkurt. Portieri i Kukësit e mori këtë çmim duke dhënë edhe një konferencë për shtyp ku ai u shpreh se ndihet i nderuar për këtë vlerësim dhe se gjithçka është arritur falë punës së bërë në skuadër.
Enea Koliqi në këtë sezon ka pësuar vetëm 9 gola, ndërkohë që, në 16 ndeshje ka mundur të mbajë të paprekur portën e tij. Për portierin e skuadrës verilindore ajo që ka më shumë rëndësi është fitimi i titullit “kampion” dhe për këtë arsye duhen fituar ndeshjet që kanë mbetur duke nisur nga ajo e kësaj fundjave me Flamurtarin që ndodhet në situatë të vështirë.