AlbanianSport.com 03.03.2017 08:45
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, i emocionuar nga suksesi i Smajlajt në Ballkaniadën e Beogradit, synon këtë herë të çojë në podium të dy atletët, për të mundësuar ngritjen e flamurit shqiptar sërish në kryeqytetin serb, këtë herë për një veprimtari më të rëndësishme se sa kampionati ballkanik, sepse Evropiani është një aktivitet famoz.
“Nuk kishte ndodhur më parë që flamuri shqiptar të ngrihej në Beograd, përveçse dy herë në raste zyrtare, – ka thënë kreu i organizmit që qeveris “mbretëreshën e sporteve shqiptare. – Kjo ishte hera e tretë kur himni shqiptar u këndua në Beograd dhe për këtë meritë ka Izmir Smajlaj, që regjistroi një rezultat fantastik dhe mundësoi përmirësimin me disa centimetra të rekordit kombëtar në kërcimin së gjati.”
“Ne po kthehemi sërish në Beograd dhe besojmë se mund të surprizojmë sërish, pse jo të marrim edhe një medalje evropiane, pasi kemi dy atletë të nivelit të lartë që premtojnë shumë dhe unë besoj se do t’ia dalim”, – ka përfunduar presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli. Ndërkohë, problem serioz për atletikën shqiptare mbetet infrastruktura në Tiranë.
Shembja e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, solli edhe shkatërrimin e pistës me tartan dhe kryeqyteti nuk ka aktualisht asnjë pistë vrapimi. Federata synon që me mbështetjen e Federatës Shqiptare të Futbollit të krijohet mundësia e një piste moderne prapa “Hotel Sheraton”, si dhe krijimin e një mjedisi për disiplinën sportive të hedhjeve (çekiçit, gjyles, diskut dhe shtizës).
Ndërtimi i një piste moderne atletike në Tiranë është një domosdoshmëri dhe pavarësisht investimeve jo të pakta në rikonstruksionin e impianteve nga qeveria aktuale, mbetet ende një punë e madhe për t’u bërë për disa sporte në kryeqytet, përfshi këtu atletikën.