Gjergj Vyshka 02.03.2017 13:45
Bardheblutë e trajnerit Adrian Gorenxës të pamundurën e kanë bërë të mundur dhe me përmbysje janë finaliste. Nisur nga emrat, Teuta dhe Tirana kanë paraqitur në fushë një përvojë maksimale dhe prej shumë vitesh në volejbollin shqiptar. Sepse përballë Gashit, Begiçit, Matoshit e Guzës, ishin Paloka (Shkurti), Kokonozi (Hoxha), Xhixha e Gjokutaj (Sallaku). Shto këto dhe dy lojtaret e lira Muka në një krah dhe Sejfullai në anën tjetër. Ndërkohë Dishës dhe Rexhepit, që tashmë kanë një eksperiencë më të madhe në parket, i është përgjigjur “dhëmb për dhëmb” e reja Kushi.
Teuta e ka nisur me shpejtësi ndeshjen dhe duke qenë gjithnjë në udhëheqje të rezultati ka fituar dy sete radhazi 18-25 dhe 16-25. Madje krijohet ideja që do të shkohet drejt një suksesi 3-0. Por Tirana nuk është dorëzuar. Është mbledhur dhe ka shpërthyer në mënyrën më të mirë të mundshme. 25-18 seti i 3-të, 25-23 seti i katërt dhe në finale 15-12 për bardheblutë dhe me shumë meritë finaliste pas një fitores 3-2. Për t’u evidentuar në rezultatin 12-9 për Tiranën në setin e 5-të ka një ndëshkim me të verdhë dhe më pas me të kuqe për protesta ndaj trajnerit të Teutës, Edmond Jazenxhi.
Dhe protesta ka vijuar dhe në përfundim të ndeshjes, aq sa kryesori Zenullari i ka treguar të verdhë dhe të kuqe njëkohësisht trajnerit durrsak. Ashtu sikurse është ndëshkuar me të verdhë dhe trajneri i Tiranës, Adrian Gorenxa. Shënuesja më e mirë e ndeshjes Romina Matoshi e Teutës me 16 pikë e ndjekur nga Klejda Paloka (Shkurti) dhe Joana Kushi e Tiranës me 14 pikë, sikurse Rexhepi e Teutës me 12 pikë, Begiçi i Teutës me 11 pikë, apo Gjokuta (Sallaku) e Tiranës me 10 pikë. Në bllok ka dalë fituese Gjokuta (Sallaku) e Tiranës dhe Begiçi e Teutës me 3 mure të suksesshme.
Kurse në shërbim me nga 3 rezultative Gashi, Begiçi, Guza e Disha të Teutës. Në total në 5 sete Tirana ka shënuar 99 pikë prej të cilave 75 pikë vetë, kurse 24 pikë kanë ardhur nga gabimet e Teutës. Në anën tjetër, Teuta, në 5 sete, ka realizuar 100 pikë nga të cilat 74 pikë vetë, kurse 26 pikë kanë ardhur nga gabimet e bardhebluve. E megjithatë Tirana e ka merituar daljen në finale.
Tirana – Teuta 3-2
(18-25, 16-25, 25-18, 25-23, 15-12)
Tirana: Paloka (Shkurti), Xhixha, Gjokuta (Sallaku), E. Meta, Kushi, Kokonozi (Hoxha), Sejfullai (L) / Ahmetaj, A. Hoxha, Shehi. Trajner: A. Gorenxa
Teuta: Gashi, Begiçi, Matoshi, Guza, Disha, Muka (L), Rexhepi / Kodra. Trajner: E. Jazenxhi
Gjyqtarë: E. Zenullari, R. Mujo (Tiranë)
Ndihmës: K. Tota, A. Nurja (Tiranë)