Gjergj Vyshka 01.03.2017 09:35
Pasion, grintë, dëshirë dhe përkushtim maksimal për një paraqitje sa më dinjitoze në eliminatoret e Evropianit. Por mbi të gjitha edhe për një rezultat pozitiv në miqësoren ndaj Malit të Zi, e cila do të luhet sot në ora 12:00 në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit. Talenti nuk u mungon. Kombëtarja e femrave të 19-vjeçareve, në kompleksin “Tropikal” në Durrës, i dha dorën e fundit përgatitjeve për miqësoren e sotme ndaj Malit të Zi. Nën drejtimin e trajnerit Nevil Dede vajzat u shfaqën shumë të motivuara në seancën e fundit stërvitore duke treguar se janë gati për sfidën ndaj Malit të Zi.
Janë 20 futbollistet e grumbulluara nga trajneri Dede dhe stafi i tij për këtë sfidë. Mbi të gjitha spikat kapitenia Uendi Muja. Sulmuesja e Vllaznisë është e vetmja lojtare që ka luajtur me kombëtaren e Nën-19-vjeçareve edhe në edicionin e kaluar të eliminatoreve, sepse pjesa tjetër skuadrës përbëhet nga futbolliste shumë të vogla në moshë, kryesisht të datëlindjes 2001. Të gjitha futbollistet luajnë në Shqipëri me përjashtim të sulmueses së talentuar Alketa Rragami, që ka ardhur nga Anglia për t’u vendosur në dispozicion të Nevil Dedes.
Futbolli i femrave në Shqipëri nga viti në vit po vjen në rritje. Në eliminatoret e fundit, kombëtarja e 19-vjeçareve u pozicionua e treta në grupin e saj eliminator duke lënë pas një skuadër si Qipro. Megjithatë në eliminatoret e ardhshme, që do të zhvillohen nga data 25 deri në 31 tetor në vendin tonë, shorti nuk është treguar shumë bujar për Shqipërinë, e cila do të sfidojë skuadra shumë të forta si Spanja e Ukraina, që janë edhe dy kokat e grupit. E përpos këtyre edhe Azerbajxhanin. Sidoqoftë, Nevil Dede beson te vajzat që ai drejton.
Dhe ka bindjen se Shqipëria do të bëjë një figurë të mirë në Eliminatoret e ardhshme, pasi ka në skuadër shumë talente. Ndaj Malit të Zi, përveç rezultatit, Dede kërkon një paraqitje sa më të mirë për t’u treguar të gjithëve se ky grup vajzash ka cilësi dhe në të ardhmen disa prej tyre mund të jenë pjesë e kombëtares së madhe. Vanesa Levenaj dhe Ilarja Zarka, dy futbollistet e Apolonisë, njëra mesfushori e tjetra sulmuese, janë dy nga vajzat më të reja në moshë që janë pjesë e kësaj kombëtareje.
Nevil Dede pret shumë nga ato dhe të dyja lojtaret duan t’ia shpërblejnë besimin trajnerit me paraqitjen e tyre në fushë. Nuk duhet harruar dhe kontributi i doktorit Jorlen Lulo, që më parë ka qenë pjesë e ekipit të futbollit të Dinamos, më pas me kombëtaren e para të rejave në volejboll dhe së fundmi me ekipin e vajzave të rrjetës së Dinamos. E tashmë në kombëtaren e Nën-19-vjeçareve të femrave të futbollit, që sot në mesditë në Fier do të sfidojë Malin e Zi.