AlbanianSport.com 28.02.2017 09:35
ASNN – Lojtarët e përfaqësueses kuqezi bënë një paraqitje të mirë me skuadrat e tyre përkatëse në Evropë, duke marrë vlerësim cilësor. Me përjashtim të mbrojtësit Elseid Hysaj që humbi me Napolin dhe u zëvendësua në fund të takimit, duke marrë një vlerësim relativisht jo shumë pozitiv, të tjerët ishin në faqet e para të shtypit sportiv perëndimor, duke marrë vëmendje të konsiderueshme për lojën cilësore, golat me peshë dhe natyrisht duke u zgjedhur ndër lojtarët më të mirë të javës që lamë pas.
Padyshim, vlerësimi më cilësor u bë në kampionatin zvicerane, atje ku Armando Sadiku shpërtheu me gol dhe fitore tek skuadra e tij e Luganos, ndërkohë që mesfushori Taulant Xhaka ishte perfekt në lojën e tij me Bazelin. Edhe të tjerët bënë paraqitje të mira, por dy lojtarët e lartpërmendur u futën në vlerësimin e 11-shes më të mirë të javës në kampionatin elitar helvetik. Edhe mediat sportive zvicerane e cilësuan fundjavën që lamë pas me ngjyra kuqezi, për shkak të dominimit të lojtarëve shqiptarë.
Gazeta më e madhe zvicerane, “Blick”, futi në formacionin e javës dy lojtarët e formacionit bazë kuqezi, konkretisht mesfushorin Taulant Xhaka dhe sulmuesin Armando Sadiku, të cilët i vlerësoi me notë shumë të lartë. Të dy futbollistët kuqezi u treguan përcaktues në veprimet e tyre dhe fatet e ndeshjeve të skuadrave të tyre në fundjavën që lamë pas. Xhaka mbetet një prej pikave të referimit të Bazelit në mesfushë.
Në ndeshjen e fituar 3-1 përballë Lucernës, ishte thuajse perfekt përgjatë gjithë 90-minutëshit të lojës, duke marrë edhe epitetin e “padronit të mesfushës”. Në formacionin e javës nuk mund të mungonte Armando Sadiku. Goli i shkëlqyer i sulmuesit shqiptar i dha fitoren Luganos në fushën e St. Gallen. Sadiku ka qenë vlera e shtuar për Luganon në 3 ndeshjet e fundit, ku skuadra ka marrë 7 pikë, jo vetëm duke iu larguar luftës për mbijetesë, por tashmë është ngjitur në mesin e renditjes.
Kjo ishte rrjeta e 3-të në 4 ndeshjet e para me skuadrën e Paolo Tramexanit, duke konfirmuar se Superligës zvicerane i mungonte një golashënues shpërthyes si sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë.