AlbanianSport.com 26.02.2017 14:35
ASNN – Qendërmbrojtësi kosovar, Mërgim Mavraj, është ndier i turpëruar pas humbjes më të thellë në karrierën e tij. Hamburgu i Mavrajt, pësoi të shtunën, një humbje 0-8 në fushë të huaj përballë nga Bajernit të Mynihut, në ndeshjen e vlefshme për javën e 22-të të Bundesligës gjermane.
Robert Levandovski shënoi tre gola, Kingsli Komani dy dhe nga një Arturo Vidali, David Alaba dhe Arjen Robeni. Mavraj shkaktoi 11-metërshin nga i cili u shënua goli i dytë i Bajernit nga Levandovski, në minutën e 24-t, ndërsa në minutën e 87-të, ai kishte lënë Robenin ta kalonte dhe holandezi shënoi golin e 8-të dhe të fundit të takimit.
“Ne kemi menduar se mund të luajmë futboll në Mynih, – ka thënë Mavraj për faqen zyrtare në Internet të Hamburgut. – Por nuk shkon ashtu. Erdhëm plot besim në vetvete, por, me çdo përvojë negative, ky besim është pakësuar. Sigurisht që është një katastrofë, nuk ka dyshim në këtë dhe është humbja më e thellë në karrierën time.”