Gjergj Vyshka 26.02.2017 15:05
Sherret tek Kampionati Kombëtar i Të Rinjve nuk duket se kanë të ndalur, edhe atëherë kur Komiteti Drejtues i Federatës Shqiptare të Basketbollit merr përsipër të zbusë vendimet e Disiplinës. Tashmë arena e boksit është bërë salla kryesore e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, atje ku në mbarim të ndeshjes Real Basket-Invaders 51-50, ka nisur përplasja. Në fakt, edhe në ndeshjen e fazës së parë, e cila ka përfunduar me një pikë epërsi për Invadersat, ka pasur ngacmime mes lojtarëve.
Por, këtë herë, duket se “nervat” nuk kanë mbajtur. Ka nisur me ofendime nga lojtarë të Real Basket, gjyqtarët kanë evidentuar Nr. 22, dhe në momentin që ekipi i trajnerit Marvi Kristo ishte në mesin e fushës për të festuar fitoren, numri 24 i Invadersave, nga stoli, ka shkuar dhe ka goditur lojtarin që nisi të provokojë. Të dyja skuadrat janë në fushë dhe kanë nisur goditjet, ndërsa në parket janë dhe prindërit.
E vetëm ndërhyrja e forcave të rendit duket se ka zgjidhur situatën, por sherri tek të rinjtë duket se është e modës, pa thënë që dhe gabimet e gjyqtarëve kanë ndikuar në atë që prodhoi fundi i ndeshjes. Sepse është hequr një 3-pikësh për Real Basket, ndonëse gjyqtarët Canaj e Pali e kishin dhënë si të tillë, dhe më pas është e kanë kthyer në gabim personal për Invaders. Shkurt, basketbolli i moshave vijon të prodhojë akte dhune.