AlbanianSport.com 25.02.2017 17:55
ASNN – Kategoria e Parë e Kampionatit Kombëtar të Futbollit, i cili e ka luajtur të premten ndeshjen e parë të javës së 17-të, ku, në kuadër të grupit B, Sopoti është mundur 0-3 nga Bylisi, ka vijuar sot me ndeshjet e tjera. Një nga ndeshjet më të spikatura të grupit B ka qenë ajo u luajt pasdreke në Stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit, midis Apolonisë dhe Lushnjës, dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Ky derbi i Myzeqesë spikati për faktin se u gjykua nga 4-she gjyqtarësh nga Malta, në kuadër të një marrëveshjeje bashkëpunimi midis Federatave të Futbollit të dy vendeve. Dhe janë miqtë që kanë fituar me rezultatin 2-0, me nga një gol të shënuar për secilën pjesë loje. Transmetimet sportive në Rrjetin e RTSH-së do të vijojnë edhe të dielën dhe të hënën me dy takime futbolli dhe një ndeshje volejbolli.
Kështu, duke nisur nga ora 14:00, do të vijë supersfida e futbollit midis Kukësit de Partizanit, ndërsa duke nisur nga ora 18:00, në kanalin RTSH Sport të platformës dixhitale do të vijë ndeshja e Kampionatit Kombëtar të Volejbollit të Meshkujve, midis Farka Volejit dhe Vllaznisë. Ndërsa të hënën, duke nisur nga 14:00, në TVSH do të vijë ndeshja e fundit e Kategorisë së Parë, midis Besëlidhjes dhe Burrelit.