AlbanianSport.com 24.02.2017 16:15
ASNN – Lojtarë me emra të spikatur në futboll u afruan si blerje të bujshme në merkaton e janarit, por me gjysmën e fazës së tretë të kampionatit që ka përfunduar, shumë pikëpyetje janë ngritur rreth pranisë së tyre. Duke nisur nga Kufre Ebong i kryesuesve të Kukësit. Sulmuesi nigerian ishte një prej goditjeve të pakta të verilindorëve, por, deri më tani 21-vjeçari nuk ka luajtur në kampionat. Debutimi erdhi në sfidën me Tiranën në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë: 66 minuta në fushë në barazimin 0-0, me Ebong që nuk tregoi asgjë nga pritshmëritë për një lojtar të përfaqësueses olimpike të Nigerisë.
Tek Skënderbeu të gjithë prisnin shpërthimin e fantazistit Kornel Predesku. Rumuni, i afruar si organizatori që i mungonte skuadrës dhe një pasardhës potencial i ish-kapitenit Bledi Shkëmbi, ka qëndruar më tepër në stol sesa në fushë. I aktivizuar në 3 ndeshje, në të gjitha rastet si zëvendësues. Te korçarët të gjithë prisnin edhe talentin Reza Karimi, që ende nuk ka debutuar në Kategorinë Superiore. 18-vjeçari nga Irani po vuan me konkurrencën në fazën sulmuese. I ndryshëm diskutimi rreth blerjes së bujshme, Marvin Ogunxhimi.
Sulmuesin belg u afrua jashtë formës fizike dhe po punon me program të specifik. Tek Partizani pikëpyetje ka rreth blerjes surprizë të dimrit, Mathju Bonifejs. Sulmuesi nigerian është aktivizuar vetëm në 3 ndeshje si zëvendësues, për një total prej 67 minutash lojë. Ndërkohë të kuqtë presin rikuperimin e plot të Xhevahir Sukajt, që derbin e ndoqi nga tribuna, por cilësohet si vlera e shtuar në ambiciet e të kuqve drejt titullit. Te Teuta mister mbetet Eko Barnie, sulmuesi i huazuar nga Skënderbeu, që përveç problemeve me vonesën e kartonit ndërkombëtar të transferimit, ende nuk ka debutuar në Durrës.
Edhe në Vlorë duhet të bëjnë llogaritë me dy brazilianë. Duke nisur nga mbrojtësi Mauricio Leal, i aktivizuar si zëvendësues në minutat shtesë të humbjes dramatike 2-3 në Shkodër me Vllazninë. E ngjashme edhe aventura e mesfushorit Lineker Nakamuta, me brazilianin që u aktivizua për herë të parë si zëvendësues në kampionat, në ndeshjen e humbur në shtëpi me Teutën. Të gjithë janë meteorë, që u prezantuan plot shkëlqim dhe bujë në merkato, por që ende nuk e kanë përligjur investimin e klubeve shqiptare.