AlbanianSport.com 24.02.2017 12:55
ASNN – Java e 23-të e Kategorisë Superiore ka rezervuar emocione të veçanta me supersfidën Kukësi-Partizani. Dy skuadra që kanë pretendime për titullin “kampion”. Verilindorët vijnë si kryesues të kampionatit në këtë sfidë dhe duan fitoren për të ruajtur kreun.
Kukësi luan një ndeshje të rëndësishme por edhe të vështirë të dielën. Skuadra verilindore do të presë Partizanin në Stadiumin “Zeqir Ymeri”. “Një ndeshje e vështirë por jo e pamundur për t’u fituar, – ka thënë trajneri Ernest Gjoka. – Këto janë ndeshje ku alternativa e vetme është ose e bëjmë… ose e bëjmë: Nuk ka mënyrë tjetër.”
“Edhe këtë javë me Partizanin duhet ta kalojmë në epërsinë tonë, për të mbajtur vendin e parë dhe, pse jo, për t’i dhënë një goditje kundërshtarit tonë direkt, – vijoi ai. – Mendoj që do të jetë një betejë e madhe si psikologjike, ashtu edhe tekniko-taktike.” Gjoka beson se ecuria e Kukësit pa humbje do të vazhdojë.
“Nëse themi që ky Kukës ka rezultate pozitive, kjo nuk është e rastësishme, – ka theksuar ai. – Gjithçka vjen nga lufta, sakrifica dhe shpirti i garës që kemi treguar javë pas jave. Çfarë duhet të bëjmë ekstra? Këto janë sekrete profesionale dhe duhet t’i themi me kujdes.
“Por duhet të mbajë ritmin që kemi mbajtur në dy fazat e para ndaj një kundërshtari direkt si Partizani, – ka thënë trajneri verilindor. – Nëse e bëmë këtë, atëherë mund të themi që jemi aty ku duhet.” Gjoka ka shtuar më tej se “ne jemi në garë dhe në të fiton më i forti.”
Blutë e trajnerit Ernest Gjoka kanë zhvilluar të premten stërvitjen e fundit në Tiranë për t’u nisur më pas drejt Kukësit, ku edhe do të luhet kjo sfidë. Ndeshja Kukësi-Partizani, do të transmetohet të dielën drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 14:00.