Gjergj Vyshka 24.02.2017 10:25
Po cilat janë defektet e sallës sportive të Parkut Olimpik të Tiranës? Së pari janë vetëm dy dhoma zhveshjeje, ndërsa minimalisht duhen katër. Ka vetëm 1,300 vende të ulura, ndërsa rregullorja e thotë që duhet të jenë 3000 vende të ulura për të rritur dhe 2000 vende të ulura për të rritura. Parë kështu, kur vështirësi mbi të gjitha do të kenë dhe sportet individuale për veprimtaritë ndërkombëtare aty, sepse kërkohet dhe sallë rezervë nxehje, atëherë duket se është punuar pa “kokë”.
Thënë ndryshe është ndërtuar mbi ngrehinën që dikur ishte parashikuar për sallë sportive për Klubin Shumësportësh “Dinamo”, pa lëvizur asnjë tullë dhe asnjë centimetër mur, por që nga koha e krijimit të saj e deri më sot kanë ndryshuar të gjitha standardet e kërkuara nga ndërkombëtarët për veprimtaritë. Imagjinoni sikur dhe të dërguarit e Federatës Evropiane të Volejbollit në prag të Ligës Evropiane, që për të rritura do ta luajë grupin nga data 9, deri më 11 qershor 2017 në Tiranë dhe për të rritur nga 23 deri më 25 qershor 2017, po në Tiranë, të thonë “jo” çfarë do të ndodhë.
Presim të organizojmë Kampionatin Evropian të Të Rinjve dhe Nën-23-vjeçarët në peshëngritje, por a do të na e pranojnë atë sallë ndërkombëtarët? Sepse më 2019-ën jemi dhe për Botërorin e Paratërinjve. Thënë shkurt, ndërsa basketbolli botëror e bëri një sy “qorr” dhe një vesh “shurdh”, po bëjmë Park Olimpik pa pasur asnjë ide për atë që duhet të jemi brenda standardeve të ndërkombëtare. E kjo është e pafalshme, sepse në katër vjet qeverisje të majtë janë ndërtuar stadiume dhe për shumësportëshin e bëjmë infrastrukturën me një sërë defektesh, që një ditë do të na lënë pa veprimtari ndërkombëtare.