Gjergj Vyshka 23.02.2017 19:35
Ndeshja më e rëndësishme e javës së 12-të të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit të Meshkujve, Farka Volej-Vllaznia, do të jetë dhe në Rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Kështu të paktën ka lajmëruar Federata Shqiptare e Volejbollit, e cila tashmë e ka bërë zyrtare nënshkrimin e marrëveshjes 3-vjeçare me Radio-Televizionin Shqiptar. Një javë më parë ka ardhur të shtunën në këtë ekran ndeshja e volejbollit të femrave Barleti Volej-Partizani, kurse këtë fundjavë Farka Volej-Vllaznia.
Në fakt në kalendar kjo ndeshje do të duhej të luhej të premten në ora 18:00 në Sallën Sportive “Fahrie Hoti”. Por për efekt të këtij transmetimi, gjithnjë sipas informacionit që ka dhënë Federata Shqiptare e Volejbollit, kjo ndeshje do të luhet të dielën, po në ora 18:00 në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Dhe për rrjedhojë, bashkë me këtë zhvendosje ka pasur lëvizje dhe në ndeshjet e të rinjve, sepse Dritan Bardhi është njëkohësisht dhe trajneri i të rinjve dhe paratërinjve të Farka Volejit.
Kështu ndeshja e të rinjve Farka Volej-Teuta nuk do të luhet të dielën në ora 15:00, por në ora 13:00 në Sallën Sportive “Fahrie Hoti”. Dhe Tirana-Iliria për të rinj, po në Sallën Sportive “Fahrie Hoti”, do të zhvillohet në ora 13:00 e jo në ora 15:00. Por ajo që mbetet e rëndësishme është se Farka Volej-Vllaznia do të jetë dhe në televizion duke qenë njëkohësisht dhe një provë gjenerale, sepse të dyja skuadrat më 2 mars do të takohen në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, gjithnjë në “Asllan Rusi”.