Nga Gjergj Vyshka 23.02.2017 13:45
Por a mund të vazhdohet kështu njëri dënon dhe tjetri fal në basketbollin shqiptar? Kjo është pyetja që do një përgjigje të fortë, sepse jo në të gjitha rastet Komiteti Drejtues, për shumë e shumë arsye, mund të bëhet i mirë me shoqatat e klubet. Sigurisht në këtë rast përfitimi është më i madh, sepse mbushet arka e Federatës Shqiptare të Basketbollit me lekët e gjobave, gjithnjë nëse vërtetë i paguajnë të gjithë.
Por kur njëri dënon e tjetri fal, çfarë morali u jepet aktorëve që parketin e shndërrojnë në arenë boksi, ndërsa Komisioni i Disiplinës duket sikur mblidhet për formalitet dhe dënon sa për sy e faqe? Për të mos thënë që është absolutisht jashtë funksionit të tij e do të jetë në nderin e këtyre anëtarëve që të bëjnë dhe dorëheqje.
Sepse kështu Komiteti Drejtues vijon t’ia “menderosë” punën këtij komisioni, ndërsa vazhdon të bëjë Komisionin e Apelit, atje ku falen të gjithë të “pafajshmit” pas akteve të dhunës në fushë. Ndodhi me Vllaznia-Tirana për të rritur e po kështu ajo që mbeti në çengelin e pandëshkueshmërisë është finalja e titullit “kampion” të paratërinjve, Superior-Tirana ndërprerë për shkak të sherrit masiv.
E zbutja e masave ndëshkuese për të rinjtë tek Teuta-Tirana nuk sjell asnjë gjë të mirë, veçse tendencë të “bullizmit” dhe në parketin e fushën e koshit. Dhe kjo nuk i bën nder askujt…