Gjergj Vyshka 22.02.2017 13:45
Jeronimo Sarin, kroati i stoli kuqeblu, e ka nisur me fitore karrierën e tij në drejtimin e Vllaznisë në basketboll për meshkuj. Sarini, që ka drejtuar Shibenikun dhe, së fundi, SIGAL Prishtinën, prezantimin e tij me skuadrën e ka bërë të shtunën, ndërsa një ditë më parë Vllaznia kishte mundur në kampionat Ardhmëria Basketin, 67-57.
E sakaq stërvitjen e parë kuqeblutë nën drejtimin e Sarin, që do të ketë ndihmës Bledar Gjeçajn dhe Fation Hallunin, e ka bërë të dielën. Por dje ka qenë në Tivat, ndërsa Vllaznia është vënë përballë skuadrës kineze He Fei Shangai, të cilën e ka mundur me shifrat 73-60.
Këtë javë Vllaznia luan në sallën sportive në Bathore, atje ku të premten do të jetë përballë Kamza Basket në ora 19:00. Nuk duhet harruar që në fazën e parë, Kamza Basket pati fituar në fushën e saj ndaj Vllaznisë, 84-62. Tashmë Vllaznia me Sarinin kërkon të konfirmohet kampione e Shqipërisë në basketboll për meshkuj.