Gjergj Vyshka 22.02.2017 08:45
Ndryshe nga çfarë pritej, teksa të gjithë po mendonin edhe një fitore në “tavolinë” 20-0 të Goga Basket ndaj Kamza Basket me vendim të Komisionit të Disiplinës, Federata Shqiptare e Basketbollit ka vendosur që kjo ndeshje të luhet. Të paktën kështu ka lajmëruar trajneri i Goga Basket, Henri Moja, ndërsa ndeshja do të zhvillohet sot në ora 18:00 në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës. “Nuk na morën mendim, – thotë Moja, – por vetëm na sollën “e-mail”-in që ndeshja do të luhet.”
Praktikisht nuk duket një vendim normal, aq më tepër që protokolli i ndeshjes nga gjyqtarët Tafilica e Malevi, por dhe vëzhguesi Xhelal Kalaja është mbyllur me mosparaqitjen e Kamza Basket. A ka mosmarrëveshje në orare? Sigurisht që po, sepse për shkak të ndeshjes së volejbollit të femrave, Teuta-Skënderbeu 3-0, luajtur në mesditën e së shtunës, pra në orarin që ishte në kalendarin fillestar, Goga Basket ka qenë e detyruar për ta zhvendosur ndeshjen të premten.
Sepse nuk është “zot” në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”, ndonëse kur basketbolli i ka vendosur më parë oraret se volejbolli duhet të ishte respektuar nga drejtuesit e këtij impianti. Megjithatë Goga Basket e ka pranuar këtë vendim të Federatës Shqiptare të Basketbollit, ndërsa ndeshjen me Kamza Basket duket se do ta ketë më shumë se sa një test kontrolli, aq më shumë që në fundjavë do të ketë pushimin e kampionatit. Shkurt, Goga Basket-Kamza Basket me vendim të Federatës Shqiptare të Basketbollit do të luhet sot pasdite në ora 18:00.