AlbanianSport.com 20.02.2017 17:25
ASNN – Derbi i madh i kryeqytetit luhej në shtëpinë e tyre, por ata nuk ishin aty. Bëhet fjalë për tifozët e Tiranës, të cilët vazhdojnë bojkotin e stadiumit Stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit. Gjithçka ka nisur me atë marrëveshje të shumëdiskutuar midis dy presidentëve të klubeve rivale, Tiranës dhe Partizanit, që i detyroi bardheblutë t’u hapnin të kuqve dyert e stadiumit të tyre.
Pas saj vijoi përplasja edhe fizike e tifozëve bardheblu me lojtarët e skuadrës së tyre në Kompleksin Stërvitor “Skënder Halili” të kryeqytetit, që u pasua edhe nga ndalimi i disa prej ultrasve të Tiranës që kërkuan të dëmtonin fushën e stadiumit. Që nga ajo kohë, grupimet kryesore të tifozerisë bardheblu kanë munguar në ndeshjet e Tiranës dhe përjashtim nuk bëri sot as derbi i madh.
Në vend që të ishin në stadium, një numër i madh i tyre zgjodhi ta ndjekë këtë derbi në një nga sheshet tradicionale të kryeqytetit, siç është Sheshi “Shtraus”, apo, siç njihen në zhargonin popullor, “Xhomlliku”. Duke shpresuar që kjo zgjedhje të rezultojë fatlume, për t’i hequr Tiranës shijen e hidhur të mbetjes ende pa fitore në derbi në këto vitet e fundit.