AlbanianSport.com 20.02.2017 10:45
ASNN – Nuk e ka nisur ashtu si do të dëshironte aventurën e tij tek Flamurtari Shpëtim Duro,që humbet në frymën e fundit ndaj Teutës. Ndërsa vlonjatët, për të dytën ndeshje radhazi në kampionat, ashtu si në javë në Shkodër, humbasin sërish në fund,duke lënë pikë të çmuarapër renditjen. Flamurtari e sheh veten sërish në kuotën e 20 pikëve, duke vështirësuar dhe më shumë pozitat e veta në renditje, ndërsa Teuta ka marrë 3 pikë me shumë vlera në Vlorë,duke fituar moral në vazhdimësi.
Në pjesën e parë, Duro ndryshon në rreshtim skuadrën, ku Telushi luan më i avancuar, ndërsa në qendër luajnë Javjlkeviç dhe Veliu. Nga ana tjetër Teuta luan pothuajse si një javë më parë, ndërsa takimi nis me Flamurtarin që kërkon të fitojë terren ndaj kundërshtarit. Veliu ka momentin e parë të mirë, por goditja e tij me kokë përfundon jashtë. Ndërkohë, momenti më i diskutuar mbetet ai i minutës së 13-të, kur Telushi pengohet në zonë dhe Jemini jep 11-metërsh.
Por ky vendim i tij anulohet disa çaste më vonë, pas ndërhyrjes së gjyqtarit anësor, Bregasi,ndërsa mbetet një moment shumë i diskutuar, që sjell edhe reagim në kampin vlonjat, por edhe në tribuna. Vlonjatët janë më kërkues në lojën e tyre, ndërsa Galiç ka në këmbët e tij golin e epërsisë së Flamurtarit, por pa mundur të realizojë. Kundërsulmi i vlonjatëve është mjaft i shpejtë, pas një goditje këndi për Teutën, por kroati shpërdoron para portës së Moçkës.
Flamurtari kërkon të gjejë golin e epërsisë, ndërsa Teuta mbrohet mirë dhe provon kundërsulmin, ndërsa Magani provon me një gjuajtje afër zonës, por pa rrezik të rrezikojë portën e Flamurtarit. Mbyllet gjithçka në barazim sa i përket pjesës së parë, ndërsa e dyta nis me të njëjtët lojtarë. Momentet e para të 45 minutave të dyta nuk kanë ndonjë moment të rrezikshëm,edhe pse vlonjatët janë më kërkues. Pas një topi të Alveshit, Telushi kërkon të kalojë edhe Moçkën dhe ia arrin.
Por mbrojtja mike mbyllet mjaft mirë. Flamurtari i shkon sërish shumë pranë golit, me anë të mesfushorit Hyseni, por gjuajtja e tij e mrekullueshme përfundon vetëm në shtyllën horizontale. Provon edhe Alveshi, por pa rrezik,ndërsa nga ana tjetër Hila mund të godiste, por gjuajtja e tij shumë pranë portës,shpëtohet nga Halili. Minutat në vijim, janë me Flamurtarin që kërkon të shtyjë përpara dhe të gjejë golin e fitores, por në fund ndodh ajo që nuk pritej.
Tariku është i lirë në zonë, pas një harkimi dhe goditja e tij përfundon në rrjetë. 1-0 për miqtë, një rezultat që nuk ka kohë të ndryshohet. Flamurtari humbet sërish në minutën e fundit, ndërsa Teuta merr 3 pikë shumë të vlefshme në Vlorë, duke i kthyer reston Flamurtarit, pas humbjes që pësoi në Durrës në fazën e parë.