Basketbollistet shkodrane janë rikthyer tek fitorja. Ato mundën Elbasanin duke rikthyer besimin në vetvete për një vazhdimësi pozitive në periudhën e mbetur të kampionatit. Interesant është fakti se ndeshja e luajtur në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të qytetit të Shkodrës ka prezantuar dy gjysma me të njëjtin ritëm.
Vllaznia, e drejtuar nga trajneri Rasha, luan më mirë në periodën e parë duke e fituar me rezultatin 27-23. Në të dytën ka reaguar Elbasani, që ka fituar 16-19 dhe Vllaznia e ka mbyllur në pushim në epërsinë e një pike, 43-42. E njëjta skemë duket se funksionon edhe në gjysmën e dytë, ku sërishmi Vllaznia fiton pjesën e tretë.
Por këtë radhë me një diference të madhe pikësh, 25-9, gjë që i jep mundësinë basketbollisteve vendase të thellojnë epërsinë në 68-51. Mikeshat nga Elbasani rikthehen sërishmi me fitore në pjesën e katërt, 12-20, por vetëm sa ngushtojnë humbjen në këtë sfidë, e cila është 80-71 për Vllazninë.
Ajo që vlen të përmendet në këtë ndeshje ka të bëjë me numrin e pakët të basketbollisteve që skuadrat kanë në dispozicion, ku në rastin konkret, si Vllaznia, ashtu dhe Elbasani luajtën me nga 5 basketbolliste titullare formacioni dhe me vetëm një zëvendësuese.
Vllaznia – Elbasani 80-71
(27-23, 16-19, 25-9, 12-20)
Vllaznia: Mustafa, I. Dashja, Basha, A. Dashja, Berrania / Çoçja. Trajner R. Rasha
Elbasani: Zenuni, Qosja, Sylenji, Ahmetaj, Shabani / Selko. Trajnere: E. Xhyra
Gjyqtarë: O. Kasmi, A. Bejko (Tiranë)
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Kategoria e Parë
Java e 12-të
(17-18 shkurt 2017)
Të premten:
Studenti – Skënderbeu 85-58
Goga Basket – Kamza Basket nuk u zhvillua
Të shtunën:
Apolonia – Flamurtari 74-121
Vllaznia – Elbasani 80-71
Tirana pushim
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Psh-Pp Pikë
- Flamurtari 11 9 2 905-705 20
- Tirana 10 10 0 714-612 20
- Goga Basket 10 9 1 876-566 19
- Vllaznia 11 6 5 750-716 17
- Studenti 10 6 4 669-615 16
- Elbasani 11 3 8 791-836 14
- Skënderbeu 10 3 7 622-723 13
- Apolonia 11 1 10 659-959 12
- Kamza Basket 10 0 10 504-852 10