AlbanianSport.com 18.02.2017 18:45
ASNN – Ajo është veprimtaria më e vjetër e futbollit modern dhe një nga sekretet e saj është që ajo mishëron thelbin e lojës më popullore në botë, sepse i jep çdo skuadre, por në kuptimin e vërtetë, çdo skuadre, mundësinë për të patur një shans për ta fituar këtë trofe të vyer.
Dëshmia më e fundit është skuadra amatore e Linkolnit, që ka thyer sot rekordin 103-vjeçar të asaj që njihet si “FA Cup”, e që ndryshe është Kupa e Anglisë në futboll. Kështu, klubi amator i Linkolnit ka shkruar sot një kapitull të ri në historinë e futbollit anglez.
Linkolni është bërë ekipi i parë amator që, pas plot 103 vjetësh, arrin të kualifikohet për në çerekfinale të “FA Cup”, pasi mposhti pikërisht ekipin e Premier Ligës Angleze, Bërnlin. Goli i minutës së 89-të nga Reget ishte ai që kualifikoi për më tej këtë skuadër të ligës amatore.
Kjo është hera e parë që Linkolni arrin të kualifikohet për në çerekfinale në 133 vjet histori të klubit. Dhe një gjë e tillë ka gëzuar tej mase lojtarët dhe tifozët e klubit, të cilët kanë shpërthyer në një festë të shfrenuar. Ky sukses i modestëve ka konfirmuar edhe një herë atë që njihet si “romanca e Kupës së Anglisë”.