Gjergj Vyshka 18.02.2017 07:05
Todi Janku, legjenda më e madhe e boksit shqiptar, ka ndërruar jetë dje në mesditë në moshën 87-vjeçare. Ky ka qenë lajmi që kanë dhënë miqtë e shokët e tij, Ramiz Reka e Et’hem Ibrahimi, ndërsa sportin e “dorezave” e ka pllakosur zia. E jo vetëm boksin, por dhe të gjithë sportin shqiptar, sepse Todi Janku është ndër ato figura që vjen rrallë në këtë vend. Për boksin është një humbje e madhe, që pas largimit nga kjo jetë të Ali Kastrati e para pak muajve dhe Hysen Sharrës, me Todi Jankun humbet shumë nga ata që e themeluan këtë sport, i cili do të ndërpritej për t’u rihapur përsëri më 1991. Dhe pikërisht Todi Janku ka qenë në grupin nismëtar për krijimin e këtij sporti, që prej 26 vjetësh pas ardhjes së demokracisë vijon të jetë ndër më cilësorët e vendit tonë. Sepse atë që nisën Kastrati, Sharra e Janku sigurisht që do të ketë breza që do ta vazhdojnë.