AlbanianSport.com 16.02.2017 12:05
ASNN – UEFA ka lejuar zhvillimin e ndeshjeve eliminatore të Ligës së Kampioneve dhe Ligën e Evropës për klubet e Kosovës në Stadiumin “Adem Jashari” të Mitrovicës. Është Federata e Futbollit të Kosovës e cila ka njoftuar se, pas takimeve të shumta të kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri me zyrtarë të UEFA-s, sot është marrë vendimi nga organizmi që qeveris futbollin kontinental për zhvillimin e ndeshjeve në Mitrovicë.
“Një delegacion i UEFA-s, do të vijë më 1 mars 2017 për të inspektuar nga afër gjendjen aktuale si dhe për të dhënë sugjerimet për përmirësimin e ndonjë të mete”, – thuhet në njoftimin e FFK-së. Kjo e fundit kan kërkuar edhe nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Kosovës që të angazhohet për përmirësimin e gjendjes së stadiumit para ndeshjeve të klubeve.
“Tanimë mbetet që MKRS-ja dhe organet e tjera përkatëse të shtetit të Kosovës, që të angazhohen që stadiumi “Adem Jashari” të përgatitet sa më shpejt për këto ndeshje të klubeve të Kosovës”, – thuhet në njoftimin e organizmit që qeveris futbollin në Kosovë.