AlbanianSport.com 14.02.2017 17:55
ASNN – Turneu final i Kupës së Kosovës zakonisht vë përballë katër skuadrat më të mira të edicionit aktual në basketboll. Ka kohë që katër skuadrat kryesore të basketbollit në Kosovë vlerësohen SIGAL Prishtina, Peja, Trepça e Mitrovicës dhe Bashkimi i Prizrenit.
Këtë edicion, në turneun final të Kupës do të luajnë të gjitha këto skuadra. Sipas shortit të hedhur paraprakisht, në gjysmëfinalet e së premtes, në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, do të përballen Peja me Bashkimin, në njërin duel, dhe Trepça vendase me SIGAL Prishtinën, në tjetrin.
Pas luftës së fundit vetëm këto katër skuadra kanë fituar Kupën e Kosovës në basketboll për meshkuj. Por është edhe një skuadër tjetër që e ka fituar Kupën e Kosovës, dhe ai është Vëllaznimi i Gjakovës. Madje ekipi kuqezi, Kupës i është gëzuar më shpesh se Bashkimi i Prizrenit.
Në vitet 1990-të, pas pavarësimit të sportit kosovar, Vëllaznimi ia doli që plot 3 herë të ngadhënjejë në Kupë. Sipas të dhënave zyrtare të Federatës së Basketbollit, Vëllaznimi ka fituar Kupën e parë të Kosovës, atë për edicionin 1991-92 dhe më pas në edicionet 1994-95 dhe 1995-96. Natyrisht, basketbolli kosovar ishte në nivel tjetër asokohe.