AlbanianSport.com 14.02.2017 15:25
ASNN – Qendërmbrojtësi shqiptar i Arsenalit, Shkodran Mustafi, thotë se klubi i tij ka kapacitetet e nevojshme për të eliminuar Bajernin e Mynihut në turin e 16-shes në Ligën e Kampioneve. Bajerni ka eliminuar Arsenalin në këtë fazë të kësaj veprimtarie në 3 sezonet e fundit, me fitoren e thellë 5-1 në takimin e fundit në “Allianz Arena” në nëntor të vitit 2015.
“Topçinjtë” udhëtojnë të mërkurën në Gjermani për ndeshjen e parë, me Mustafin që thotë se ekipi i tij ka shanse nëse jep maksimumin nga vetja. “Është hera e parë për mua, por e di se Bajerni e ka eliminuar rregullisht Arsenalin prej disa vjetësh, – ka thënë Mustafi për “Sky Sports News”. – E dimë që Bajerni do të jetë vështirë të eliminohet, por ne e dimë se, nëse luajmë me potencialin tonë, mund ta mposhtim.”
“Detajet e vogla do të vendosin nëse fitojmë apo jo”, – ka përfunduar kampioni i botës me Gjermaninë. Ndeshja e kthimit zhvillohet në Stadiumin “Emirates”, më 7 mars 2017.