Gjergj Vyshka 14.02.2017 11:15
Kampionët e Kosovës dhe fituesit në fuqi të Ligës Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj e kanë mundur skuadrën bardheblu me 30 pikë diferencë në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet.
Shima me 3 trepikësha dhe Vogli me një të tillë, por dhe Hysenagolli e deri diku dhe amerikani Rame janë ata që e kanë mbajtur Tiranën gjithnjë në epërsi në pjesën e parë, derisa është fituar 25-22.
Por vetëm kaq, SIGAL Prishtina nis të ndërtojë një strategji ndryshe. Bllokon kundërshtarin dhe është e saktë në çdo gjuajtje, aq me një rezultat të pjesshëm 2-15 ka dalë në epërsi prej 10 pikësh, 27-37.
Diferencë që vjen duke u thelluar, ndërsa pjesa e dytë është mbyllur 11-28 dhe në total 36-50 për SIGAL Prishtinën. Xhonson është ndëshkuar me gabim teknik, kurse prishtinasit vazhdojnë lojën e tyre të mirë përballë një Tirane të dërrmuar e krejtësisht të mefshtë.
11-27 dhe 47-77. Disi është luajtur më mirë në pjesën e katërt, e cila ka qenë barazim 18-18, por që nuk e ka shmangur humbjen e Tiranës me SIGAL Prishtinën me një diferencë të thellë prej 30 pikësh, 65-95.
Tirana – SIGAL Prishtina 65-95
(25-22, 11-28, 11-27, 18-18)
Tirana: Shima (25), Hysenagolli (15), Strazimiri, Rame (4), Vogli (6) / Karaj, Hysa, Xhonson (1), Lasku, Durrsi (5), Gjyzeli (9), Pashaj. Trajner: N. Milatoviç
SIGAL Prishtina: Kempi (12), F. Rugova (9), Delliç (12), Hajrizi (9), Edvin (5) / Mozer (15), Azemi (7), Peci (6), G. Rugova (9), Zenelaj (11) Trajner: A.Prakuraitis
Gjyqtarë: G. Hoxha, E. Gjoni (Tiranë), M. Kasëmi (Vlorë)