Gjergj Vyshka 14.02.2017 07:55
SIGAL Prishtina, kampionia në fuqi e Kosovës, por dhe fituesja në fuqi e Ligës Ballkanike, ndonëse e eliminuar tashmë për sezonin aktual, i ka dhënë leksione basketbolli Tiranës. Gjithçka ka ndodhur dje pasdite në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, atje ku falë miqësisë që kanë drejtuesit e të klubeve është zhvilluar dhe kjo ndeshje miqësore, e cila pritet të jetë e herëpashershme. Nga një pjesë e parë shumë e mirë e bardhebluve, atje ku bie në sy loja e mirë e Shimës dhe Hysenagollit, dy lojtarët që vijojnë të mbajnë peshën kryesore në pikët e shënuar për Tiranën, në një shkërmoqje totale të kryesuesve të kampionatit.
Sepse prishtinasit, jo vetëm me të huajt, por dhe me lojtarët vendës, kanë treguar më së miri se basketbolli vijon të jetë një lojë kolektive dhe jo një zgjidhje individuale. Pra nëse kushdo kundërshtar që do të jetë përballë Tiranës do të bëjë një mbulim të mirë të Shimës dhe Hysenagollit, jo me një, por dhe me dy lojtarë, në momente të caktuara SIGAL-i e bëri, atëherë bardheblutë nuk kanë më “peshë specifike”. Sepse edhe amerikanët Rame e Xhonson nuk janë në ditën e tyre më të mirë, teksa kanë kohë që kanë luhatje në formën e tyre edhe për shkak dëmtimesh.
Që do të thotë se në kushtet kur ndeshjet ndërkombëtare janë kthyer tashmë në një “bumerang” për ekipin e Milatoviçit, ndërsa fitoret vijojnë të mungojnë që më 1 dhjetor me Pejën, 76-73, Tirana duhet të ulet me këmbë në tokë. Të mos mendojë se është e pathyeshme dhe një skuadër rekordesh në kampionat, por edhe përtej titullit, sepse e djeshmja, edhe pse miqësore, është një shuplakë e fortë për Tiranën. Kuptuar ndryshe, suksesi nuk fillon e mbaron në kampionatin shqiptar, apo në Superkupën e Shqipërisë, por duhet shtrirë dhe më tej.
Pasi SIGAL Prishtina, pavarësisht dështimeve të këtij sezoni në Evropë, apo dhe në Ligën Ballkanike, ka vite që është rritur duke qenë shpesh në arenën ndërkombëtare. Këtë duhet të bëjë dhe Tirana, e cila, deri më tani, në Shqipëri nuk ka problem asnjë kundërshtar. Për t’u evidentuar është fakti se kanë qenë të pranishëm presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, që është njëkohësisht dhe sponsori i SIGAL Prishtinës, Avni Ponari, si dhe Sekretari i Përgjithshëm, Korab Llazani, së bashku me anëtarin e Komisionit të Disiplinës, që është njëkohësisht dhe vëzhgues i basketbollit shqiptar, Arben Kaçurri.