Gjergj Vyshka 13.11.2014 08:50
Pas vendit të 9-të në dygarësh të Shqiponja Brahjes në peshën 48 kg, por dhe pas tre medaljeve të Daniel Godellit, i cili është dyfish “kampion i botës”, kanë ardhur të tjera rezultate pozitive. Paraditen e djeshme në Almati të Kazakistanit, Krenar Shorja ka konkurruar në peshën 85 kg, grupi C.
Në shkëputje është në vendin e tretë me 146 kg, teksa më parë ka pasur vështirësi për të realizuar 140 kg, të cilën e ka ngritur në provën e dytë. Në shtytje është në vendin e dytë. E ka nisur suksesshëm me 190 kg, më pas ka realizuar 196 kg dhe në të tretën nuk ka realizuar 200 kg.
Megjithatë me 342 kg është në vendin e dytë të Baterisë C. Por një formë të jashtëzakonshme ka paraqitur dhe Hysen Pulaku në Baterinë B të peshës 85 kg. Ai është i pari në shkëputje, ndërsa është i suksesshëm në të tria provat; 150 kg, 160 kg dhe 165 kg.
Më pas dhe në shtytje është i suksesshëm, teksa ka realizuar 200 kg, por nuk ka mundur të ngrejë 210 kg. E megjithatë me 365 kg është në vendin e parë të Baterisë B. Sot do të jetë në garë Romela Begaj në peshën 63 kg në grupin A, si dhe Endri Haxhihyseni dhe Sopot Sula në peshën 94 kg, grupi C.