Gjergj Vyshka 13.02.2017 17:55
Për trajnerin Taulant Stërmasi duke mos pasur rekorde në salla të mbyllura për të reja, atëherë ky rezultat i Relaksa Dauti konsiderohet si i tillë për këtë moshë. Madje tashmë është detyrë e Federatës Shqiptare të Atletikës që të bëjë kampionat dimëror për të reja, por pse jo dhe për mosha më të vogla. “Këto janë garat e para të kësaj moshe dhe sigurisht që ky është rezultati më i shpejtë”, – ka thënë ai.
“Është faji i Federatës Shqiptare të Atletikës që nuk ka vënë statistika, sepse në salla gjithnjë është vrapuar me datëlindjet 1991. Pra nëse i hyjmë statistikave, Relaksa ka bërë kohën më të shpejtë për të reja. Të gjitha të kësaj moshe janë kampionate individuale dimërore”, – shpjegon Stërmasi, i cili e pohon se ka mbetur i surprizuar nga medalja e argjendtë, ndonëse ka besuar tek sportistja e tij.
“Thjesht, – thotë Stërmasi, – i kam thënë që jemi për medalje e do të luftojmë deri në fund për të. E Relaksa ka bërë më të mirën e saj deri në fund. Për mua është një emocion i madh sepse atletikës shqiptare po i vjen një tjetër Luiza Gegë. Dhe për më tepër që është vetëm 15 vjeç e do të jemi më shumë se gati për të kapur normën e Olimpiadës së radhës.”
Premtim apo jo, por duhet besuar se tashmë atletika shqiptare ka dy “xhevahire”, Luiza Gegën, e cila ishte e treta në 3000 metra për salla të mbyllura në Francë me kohën rekord 8 minuta, 52 sekonda e 53 të qindtat, dhe Relaksa Dautin, nënkampione të Ballkanit për salla të mbyllura për të reja në 800 metra, me kohën 2 minuta, 12 sekonda e 75 të qindtat.
Kampionati Ballkanik i Atletikës në
Salla të Mbyllura për Të Rinj & Të Reja 2017
Rezultatet teknike të vrapimit 800 metra
Nr. Atletja / Vendi Koha
1) Diana Elena Bogos (Rumani) 2’12”42
2) RELAKSA DAUTI (SHQIPËRI) 2’12”75
3) Aleksandra Roljiç (Bosnje) 2’13”03
4) Kubra Tatar (Turqi) 2’13”25
5) Rositca Kaneva (Bullgari) 2’14”70
6) Kezbah Demiralp (Turqi) 2’15”57
7) Viktoria Georgieva (Bullgari) 2’16”22
8) Renata Sokolovska (Maqedoni) 2’26”45
9) Albina Deliu (Kosovë) 2’26”67
10) Rita Hajdini (Kosovë) 2’31”03