Gjergj Vyshka 13.02.2017 10:40
Relaksa Dauti është shpallur nënkampione Ballkani në salla të mbyllura për të reja në të parën veprimtari të moshës deri në 20 vjeç që dje është zhvilluar në Stamboll. Një surprizë e këndëshme jo vetëm për drejtuesit e atletikës shqiptare, por dhe për vetë nënkampionen e Ballkanit për të reja për sallat e mbyllura, Relaksa Dauti.
Madje, kjo e fundit, në një status në profilin e saj në rrjetin social “Facebook” ka shkruar: “Medalje e Argjendtë në Ballkanikun e të rinjve në Stamboll të Turqisë. Jam shumë e gëzuar pasi është hera e parë që marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik, pra, me mosha 3-4 vjet më të mëdhenj se sa unë.”
“Rezultati është një rekord i ri për mua në salla të mbyllura dhe të hapura, sigurisht dhe rekord kombëtar për të reja në salla në 800 metra, – ka vijuar 15-vjeçarja. – Rezultati 2’12”75 është një kohë shumë më e mirë se sa ajo që bëra në Elbasan, ndërsa u shpalla atletja më e mirë e kampionatit dimëror për të rritura.”
“Dua të falënderoj të gjithë ato që më mbështetën”, – ka përfunduar Dauti. Tashmë atletika shqiptare ka dy “xhevahire”, Luiza Gega, e cila ishte e treta në 3000 metra për salla të mbyllura në Francë me kohën rekord 8’52”53, dhe Relaksa Dauti, nënkampione Ballkani për salla të mbyllura për të reja në 800 metra me 2’12”75.
Kampionati Ballkanik i Atletikës në
Salla të Mbyllura për Të Rinj & Të Reja 2017
Rezultatet teknike të vrapimit 800 metra
Nr. Atletja / Vendi Koha
1) Diana Elena Bogos (Rumani) 2’12”42
2) RELAKSA DAUTI (SHQIPËRI) 2’12”75
3) Aleksandra Roljiç (Bosnje) 2’13”03
4) Kubra Tatar (Turqi) 2’13”25
5) Rositca Kaneva (Bullgari) 2’14”70
6) Kezbah Demiralp (Turqi) 2’15”57
7) Viktoria Georgieva (Bullgari) 2’16”22
8) Renata Sokolovska (Maqedoni) 2’26”45
9) Albina Deliu (Kosovë) 2’26”67
10) Rita Hajdini (Kosovë) 2’31”03