AlbanianSport.com 13.02.2017 09:45
ASNN – “E gjithëpushtetshme”. “Kampione e kampioneve”. Kështu është quajtur Majlinda Kelmendi nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) pas suksesit të saj të fundit, asaj medalje të artë në njërin prej turneve më të mëdha të xhudos, “Grend Slem”-in e Parisit.
Të shtunën, Majlinda dominoi edhe njëherë pa shumë probleme në kategorinë e peshës trupore deri np 52 kilogramë, në të cilën tashmë ka medaljen e artë olimpike, dy tituj të kampiones së botës për të rritura e po dy tituj të Evropës po për të rritura, pa llogaritur edhe plot medalje të tjera.
25-vjeçares nga Peja nuk i morën asnjë pikë në katër duelet që i zhvilloi në arenën më të madhe të xhudos, atë “Accor Hotels Arena” në Paris. Ishin plot 11 mijë shikues të pranishëm në arenë në fazën finale të ndeshjeve. Si numri 1 i renditjes, Majlinda e nisi me një fitore të lehtë ndaj kanadezes Ekaterina Guica.
Më pas, ajo mposhti francezen Astride Gneto dhe në gjysmëfinale amerikanen Anxhelika Delgado. Në finale, Majlinda përballë e kishte japonezen Natsumi Tsunoda. Ishte vetëm përballja e parë me Tsunodan, që vetëm në dhjetor të vitit të kaluar ka nisur të përfaqësojë vendin ku ka lindur xhudo, në arenën ndërkombëtare.
Majlinda ishte e sigurt në finale dhe arriti fitoren me një hedhje që e realizoi me kundërsulm. Pjesa tjetër është tashmë histori…