Gjergj Vyshka 11.02.2017 14:50
Pas 21 vjetësh rrëzohet rekordi i Anila Kasatit në 3,000 metra në salla të mbyllura; nga 9’29”83 tashmë nga nënkampionia e Evropës në 8’52”53. Ndërkohë për trajnerin Taulant Stërmasi pritej një kohë më e mirë poshtë 8’50”. “Por zbritja nga lartësia para 4 ditëve nuk i ka dhënë kohë që t’i ketë këmbët më të lehta e më të freskëta”, – ka thënë ai.
“Dhe duhet patjetër që do të ndodhë një gjë e tillë, ndërsa besoj se për 2-3 ditë të tjera do të jetë në formën e saj maksimale, – ka vijuar Stërmasi. – Ajo që na kënaq është se kjo ishte gara e parë në salla të mbyllura, ende nuk kemi nisur ta njohim mirë. E çdo garë që bëhet është një eksperiencë më shumë jo vetëm për 3000 metra drejt dhe me pengesa,”
Kurse Gega, më 14 shkurt 2017, do të jetë në një tjetër miting ndërkombëtar në Ostrava të Çekisë, këtë herë në vrapimin 1500 metra. Kështu, Luiza Gega, nënkampionia e Evropës në 3000 metra me pengesa për garat e verës, në daljen e saj të parë për vitin 2017 ka dalë e treta në një miting ndërkombëtar në Francë. Një miting që i është përkushtuar vetëm garave për femra.
Ndërsa Gega ka vetëm 4 ditë që ka zbritur nga periudha përgatitore në Iten të Kenias. Mes 12 atleteve keniane, etiopiane, marokene, franceze dhe rumune, Gega jo vetëm që ka mbajtur mirë ritmin, por ka dalë e 3-ta. Koha e saj e re është 8’52”53, që është rekord i ri kombëtar në 3,000 metra për salla të mbyllura, ndërsa pas 21 vjetësh bie rekordi që mbante Anila Kasati. Kjo atlete më 1996-ën në Athinë e kishte bërë 9’29”83.