AlbanianSport.com 11.02.2017 11:35
ASNN – Kampionati Kombëtar i Futbollit e ka ngritur të premten siparin e fundjavës, me takimin e parë të javës së 15-të të grupit B të Kategorisë së Parë, atë midis Apolonisë dhe Dinamos. Kjo ndeshje, që u luajt pasdreke në Stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, u fitua nga kryeqytetasit me shifrat 3-1.
Ndërkaq, të shtunën, transmetuesi publik do të sjellë drejtpërdrejt takimin e kryeqytetit, midisi Tiranës dhe Kukësit, të vlefshëm për javën e 21-të të Kategorisë Superiore, që luhet duke nisur nga ora 17:00. Kjo ndeshje është në fakt një përsëritje e duelit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, ku bardheblutë e fituan para pak ditësh takimin e parë të luajtur në kryeqytet, me shifrat 2-1.
Të dielën rikthehet Kategoria e Parë në ekranin e RTSH-së, me transmetimin e ndeshjes Kastrioti-Kamza, e vlefshme për javën e 15-të të grupit A, apo Grupit të Veriut. Kjo javë e nivelit të dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit mbyllet të hënën, me duelin e kreut të grupit B, apo grupit të Jugut, në Kategorinë e Parë, atë midis Bylisit dhe Lushnjës.
Si Kamza në grupin A, ashtu edhe Lushnja në grupin B, kryesojnë renditjet përkatëse të shkëputura, duke qenë kandidate kryesore për kthimin në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm.